Moti

OJQ “Fortesa” konsideron se Komuna e Kamenicës ka bërë shpenzime enorme dhe jashtë çdo standardi për situatën ekonomike e financiare të kësaj komune.

Amir Jakupi nga kjo organizatë, ka bërë të ditur se Komuna e Kamenicës gjatë vitit 2014 ka shpenzuar mbi 80 mijë euro për karburante, mbi 23 mijë euro për dreka zyrtare, 9 mijë euro për telefoni, 26 mijë euro për udhëtime brenda vendit dhe 5 mijë e 500 euro për informim publik.

”Në bazë të një përllogaritjeje të thjeshtë, del se zyrtarët e Kamenicës për çdo ditë kanë shpenzuar nga 220 euro vetëm për derivate. Për një komunë të vogël, të varfër e të pazhvilluar, ky shpenzim është i papranueshëm”, ka thënë Jakupi.

Sipas tij, Kamenica është në mesin e komunave që ka shënuar rënie të konsiderueshme të të hyrave financiare dhe nuk e ka luksin të bëjë shpenzime të panevojshme.

“Është shqetësuese edhe shuma prej 230 mijë eurove detyrime dhe fatura të papaguara për vitin e kaluar”.

Jakupi i bënë thirrje kryetarit të Komunës dhe zyrtarëve të tjerë, që të shkurtojnë shpenzimet në disa kode buxhetor dhe të kujdesen që paraja e qytetarëve të Kamenicës të shpenzohet në mënyrë efikase dhe në dobi të tyre.

 
Top