Komuna e Kamenicës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë mbajtur takim-të përbashkët për hartimin e Planit të Veprimit të Marveshjes së Stabilizim- Asociimit.
Takimi u mbajt në vazhdën e përpjekjeve për të koordinuar aktivitetet e përbashkëta për të përmbushur detyrimet nga agjenda evropiane, në mënyrë që të adresohen të gjitha obligimet që janë përfshirë në kuadër të Planit të Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (PVMSA).
Nënkryetari i komunës Fatmir Matoshi, ka falënderuar MAPL-në për mbështetjen e dhënë komunës në mënyrë që raportimet për këtë proces të jenë sa më të sakta dhe gjithpërfshirëse.
“ Komuna dhe të gjitha drejtoritë do të jenë të angazhuara që të përmbushin obligimet e tyre që dalin nga ky plan, dhe poashtu do të angazhohemi që përmes zyrës për integrime evropiane të përcjellim në baza të rregullta raportet për progresin e arritur.
Është mirë që sot orientohen përgjegjësitë e secilës drejtori, në mënyrë që efikasiteti të jetë sa më i madh” ka thënë nënkryetari Fatmir Matoshi.
Drejtoresha e Departamentit për Integrim Evropian dhe koordinim të politikave Rozafa Ukimeraj, ka thënë se MAPL është në krah të komunave dhe mbështetëse përgjatë tërë këtij procesi.
“Duke pasur parasysh rolin e komunave në procesin e integrimit Evropian dhe me qëllim të koordinimit dhe bashkëpunimit sa më efektshëm ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, si dhe me qëllim të lehtësimit të këtij procesi, MAPL, ka përmbledhur në një dokument unik, të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i stabilizim asociimit; adresimin e sfidave nga raporti i progresit; obligimet nga dialogu i liberalizimit të vizave dhe takimet sektoriale në kuadër të procesit të stabilizim asociimit dhe bashkërisht me Zyrtarët Komunal të Integrimeve Evropiane në Komunën Tuaj, ka hartuar draftin e planit të veprimit komunal për MSA.” Tha Rozafa Ukimeraj.
Në këtë takim dikutuan edhe Drejtori i Zyrës për Integrime Evropiane Zijadin Thaçi, zyrtarët e MAPL-së dhe drejtorët komunal.