Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albulena Haxhiu dhe Ilir Deda dorëzuan një kallëzim penal në lidhje me aktet e dhunës të kryera nga Policia e Kosovës gjatë, para dhe pas protestës së mbajtur në datën 27 janar kundër Jabllanoviqit dhe në mbrojtje të Trepçës
Në këtë kallëzim penal është ngritur padi ndaj veprave si "keqpërdorimi i detyrës zyrtare", akte dhune që përbëjnë “torturë” ,”kanosje me jetë”, “lëndime të rënda trupore”, etj.
“Ky kallëzim penal është drejtuar kundër komandantëve dhe shefave të policisë që kanë drejtuar operacionet policore, dhe gjithashtu është drejtuar kundër policëve të identifikuar me numrat e tyre, si dhe ndaj policëve që nuk e kanë mbajtur numrin e tyre të identifikimit”, tha Haxhiu.
Për këtë janë grumbulluar mbi 20 deklarata nga protestuesit e arrestuar, raportet e tyre mjekësore, fotografitë dhe videoinçizimet që dëshmojnë për faktin se Policia e Kosovës ka kryer vepra penale.
"Dhuna e policisë nuk na ka ndalur as në të kaluarën, kur Kosova ka qenë nën okupim, dhe nuk ka për të na ndalur as sot", tha deputeti Deda duke shtuar se protesta e nesërme ka për të qenë masive. “Do të jetë edhe më e madhe se dy protestat e fundit. Sheshi është i qytetarëve të cilët nesër do të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për të protestuar kundër Jabllanoviqit dhe në mbrojtje të Trepçës"
Në ndërkohe që mbahen në paraburgim ende mbi 30 protestues, asnjë polic i vetëm nuk mbahet nën arrest dhe ndaj asnjë polici dhe shefave të tyre nuk janë marrë masa në lidhje me veprat penale që kanë kryer.
Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që menjëherë ta shqyrtojë këtë kallëzim penal dhe të marrë masat e domosdoshme për të dënuar kriminelët.