Moti

Amir Jakupi nga OJQ “Fortesa”, i cili ka kritikuar organet komunale pas çdo raporti të publikuar, kësaj radhe përshëndet dhe vlerëson pozitivisht trendin e uljes së shpenzimeve në tremujorin e parë të vitit 2015 nga Komuna e Kamenicës.

“Vendimi i institucioneve qendrore dhe kryetarit të Kamenicës për kufizimin e shpenzimeve dhe ndaljen e luksit, ka rezultuar me sukses, duke përgjysmuar shpenzimet e institucioneve komunale në pothuajse të gjitha kategoritë”, ka thënë Jakupi.

Sipas tij, për udhëtime jashtë vendit në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin shpenzuar 2 mijë e 100 euro, kurse gjatë këtij viti shpenzimet janë zero.

“Për mëditje jashtë vendit vitin e kaluar kishte 2 mijë e 91 euro ndërsa në këtë tremujor 401 euro. Karburant për vetura nga 12 mijë e 500 shpenzimet kanë rënë në 6 mijë e 600, kurse për dreka zyrtare nga 2 mijë e 770 ka zvogëlim në 929 euro”, ka bërë të ditur Jakupi raporton rajonipress.
Përfaqësuesi i organizatës “Fortesa” kërkon nga kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani që procesi i uljes së shpenzimeve të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.

“Kemi bërë vazhdimisht vërejtje dhe kritika për shpenzime enorme dhe si duket ato janë dëgjuar nga pushtetarët. E përshëndesim vendimin e kryetarit dhe kërkojmë që të jetë rigoroz në këtë drejtim. Komuna e varfër e Kamenicës nuk meriton të shpenzohet pa kontroll.

Vetëm duhet vullnet dhe qeverisja komunale mund të arrij që të zvogëlojë edhe më shumë shpenzimet”, tha ndër të tjera Amir Jakupi.
 
Top