Moti

Organizata “Fortesa” është shprehur e pakënaqur me punën e legjislativit të Kamenicës. Organizata e cila e monitoron e punën e këtij organi, legjislativin aktual e ka vlerësuar si përbërjen më të dobët në historinë e Kuvendit të Kamenicës. Madje, i ka vënë epitetin e Kuvendit dembel.

Përfaqësuesi i OJQ “Fortesa”, Amir Jakupi, ka thënë se ky Kuvend që në fillimet e tij është përballur me veprime të kundërligjshme, për të vazhduar me pasivitetin e këshilltarëve, të ndikuar nga ekzekutivi dhe një opozitë që nuk ka qenë të detyrës.

“Përbërja aktuale e Kuvendit është një kukull e bukur e ekzekutivit komunal dhe assesi nuk ka arritur ta fus nën mbikëqyrje punën e qeverisjes komunale. Në këta 15 muaj nuk kanë dëshmuar se janë mbrojtës të interesave të qytetarëve, përkundrazi kanë qëndruar nën hije të ekzekutivit”, ka theksuar Jakupi.

Sipas tij, nuk është dëgjuar asnjë ide e asambleistëve për hapjen e një zyreje, e cila do të shërbente për një komunikim të përhershëm mes këshilltarëve dhe qytetarëve. “Asambleistët janë shkëputur prej zgjedhësve të tyre”, ka thënë ai.

Jakupi ka bërë vërejtje edhe për punën e komiteteve konsultative dhe Grupin e Grave. “Themelimi i komiteteve konsultative, që do të duhej të shërbenin si mekanizma efikas për paraqitjen e brengave të qytetarëve, nuk kanë arritur ta dëshmojnë këtë.

Nuk kemi parë dhe dëgjuar këto organe të kenë dhënë ide, propozime e iniciativa konkrete për zgjidhjen e ndonjë problemi. S’ka progres në këtë drejtim. Ndërsa, Grupit të Grave pos ekskursioneve, nuk i ka interesuar ndonjë gjë tjetër”.

Jakupi është shprehur kritik edhe për punën e ekzekutivit, ku sipas tij, kryetari dhe drejtorët komunalë kanë treguar performancë të dobët në katër muajt e parë të këtij viti.
02 Maj 2015
 
Top