Moti

Nga Botasot
Binak Rexhaj, ushtari i UÇK-së, i cili ka luftuar në Koshare nën komandën e njësisë “Cobra”, sot rrëfen për vazhdimin e luftimeve që kanë ndodh në atë pjesë gjatë ditës së 11 Majit të vitit 1999.
Ai thotë se Komandant “Cobra” kishte kërkuar përforcime nga komanda kryesore, por një gjë e tillë nuk ndodhi në drejtimin ku luftonin në “Cobrat”, por përse, ai thotë se nuk e din?
“Luftimet bëheshin gjithnjë e më të ashpra, por ne nuk i lëshonim pozicionet tona edhe pse krahu i djathtë nuk dëgjohej dhe nuk dinim a ishin në mbrojtje të pozicioneve ushtarët e “Bjeshkës 1”, apo ishin tërhequr derisa armikut ne i shkaktonim humbje të njëpasnjëshme. 
Rreth orës 7:00 të mëngjesit plagoset ushtari i parë Petrit Beqiraj djali i axhës së Izetit. Ne ishim gati të rrethuar nga forcat serbe edhe pse kishim arrit që distancën e luftimeve ta largonim, por rezistenca dhe qëndresa jonë ishte edhe më e fortë, pasi kishim si pozicione mbështetëse vetëm pozicionet e vijës së parë të cilat ishin në krahun e majtë dhe ishin diçka më lart dhe më të sigurta nga pozicionet ku filluam luftimet, mirëpo edhe këto pozicione ishin shumë të përshtatshme për ti vazhduar luftimet dhe shkaktuar humbjet sa më të mëdha armikut”, rrëfen ai.
Rexhaj tregon se pasi u plagos edhe një ushtar i “Cobrave”, Komandant Naser Vllasi, ka kërkuar që të tërhiqen në pozicionet më lartë, por njëkohësisht kanë zhvilluar edhe luftimet duke i bë lëvizjet nga pozicioni në pozicion.
“Ne duke u larguar bënim edhe luftë, pasi pozicionet tona granatoheshin vazhdimisht. Nga komanda kryesore iu kërkua Naserit që të tërhiqemi në vijën e dytë mbrapa pozicioneve te rruga e malit, mirëpo ato pozita për momentin si zhvilloheshin luftimet nuk ishin të sigurta as të përshtatshme për rezistencë ku edhe më tej kemi vazhduar luftimet. Pasi që ishim në numër të pakët dhe në tentim për të ju bashkangjitur luftimeve një skuadër që e kishim si zëvendësim ditë më parë nga granatimet kishin pasë të plagosur dhe ishin detyrua mi tërheq të plagosurit, nuk di a mbeten dy apo tre ushtarë me ne nga ta. 
Komandant Naseri, kishte caktua Izetin që ta tërheq Petritin pasi kishte dhimbje të mëdha, mirëpo Izeti më kërkoj mua që ta bëj tërheqjen e Petritit deri te ushtarët e parë të vijës së dytë të krahut të djathtë ku komandonte “Bjeshka” F. Hadergjonaj. Pasi e bëra tërheqjen u ktheva menjëherë te shokët e mi. Në ato momente takova komandant “Cobrën” i cili më tha qe të tërhiqemi në krahun e majtë sa më lartë që mos të arrij armiku të marr epërsinë ashtu që të jem gjithë në avantazh një hap para armikut”, tregon ai.
Sipas tij, derisa luftimet vazhdonin ai nga Besim Geci është njoftuar se Komandat Izeti ishte vrarë dhe që e kishin tërhequr disa metra më tej, në një vend të sigurt dhe e kishin maskuar mirë trupin e tij përderisa të arrij skuadra për tërheqjen e trupit të Izetit.
“Nuk di pse, por përforcimet arritën vetëm deri te rruga ku gjendeshin pozicionet e vijës së dytë dhe atë ishin shtrirë nga pozicioni ku gjendej minahedhësi 82mm përgjatë rrugës deri te përroi i parë i kroit të Gomureve, e luftimet dhe koncentrimi i forcave serbe ishte pikërisht ku ishim ne “Cobrat” me Naserin. Pas një kohe dëgjuam se trupi i Izetit “Baballoqit 2” ishte tërheq nga skuadra që ishte e angazhuar për tërheqjen e të rënëve ku për ne ishte një breng më pak. 

Në këtë ditë të 11 majit 1999, ishin disa mos qartësi apo mos organizime që ne mbetëm të vetëm te Rrasa e Koshares, gjegjësisht nga ana e majtë pa asnjë lloj përforcimi. Në ato luftime ne “Cobrat” atë ditë e kemi paaftësuar një tank deri sa një tjetër që nuk vërehej nga pozicionet tona kishte depërtuar në drejtim të Abaz Thaçit për të cilin kam dëgjuar se kishte mbet me pak ushtarë në vijën e parë sikur se ne”, rrëfen ushtari i UÇK-së ngjarjen e asaj dite.
Por, ai thekson se, pas mesditës kishte arritur një skuadër në përforcime, mirëpo komandant Naseri ju ka kërkuar qe të zbatojnë çdo urdhër të tij dhe mos të bëjnë ndonjë lëvizje pa planifikuar mirë që mos të ketë edhe ushtarë të tjerë të vrarë.
“Naseri ka filluar orientimin me koordinatat që ti grantonim forcat e gjalla serbe, ku menjëherë janë vërejtur rezultatet e para. Ne edhe më tej rezistonim dhe pas orës 16:00 është vërejt se forcat serbe po tërhiqeshin me shumë të vrarë dhe të plagosur pasi dëgjoheshin dhe britmat nga dhimbjet plagëve që u kishim shkaktuar me armë, dhe intensiteti i luftimeve tanimë kishte rënë ku me një intensitet të ulët vazhduan deri në mbrëmje luftimet. 
Ajo ditë i bëri me dije armikut se ne nuk zmbrapsemi as 1 mm mbrapa, dhe ju bë çdo lis ushtar i UÇK-së. Mirëpo rënia e Izetit na la dhimbje të thellë në zemrat tona, pasi edhe sot na mungon. Ne të gjallët duhet të mbesim të dinjitetshëm, të pastër, sikurse ishim në ditët e luftës, vetëm kështu qohet amaneti i dëshmoreve deri në vend”, përfundon rrëfimin ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Binak Rexhaj.
 
Top