Kryetari i Degës së AKR-së në Kamenicë, njëherit nënkryetar i komunës Fatmir Matoshi, në një prononcim për rajonipress ka thënë se rreziku AKR-së po i vije pikërisht nga udhëheqesia e partisë. Gjendja e krijuar në parti dhe dështimi për tu rikthyer sërish në skenën politike edhe një vit pas zgjedhjeve nacionale është si pasojë e asaj se partinë e kanë mbërthyer individë që nuk përfaqësojnë bazë elektorale dhe të cilët nuk do të duhej të ishin më shumë sesa asistentë brenda subjektit.
“Ministrat e AKR-së janë dorëzuar menjëherë pas ndërrimit të qeverisë, në kërkim të ndonjë vendi pune ata e kanë braktisur partinë siç është rasti i Fadilit, ose heshtja dhe tërheqja graduale e Makollit.
Konsideroj se ata do të duhej të jepnin llogari për rezultatet e dobëta që patëm me 8 qershor të vitit të kaluar. Tani më në parti kanë mbetur disa individë që asnjëherë nuk arritën të kenë numër katërshifror të votave dhe kjo tregon më së miri nevojën për ristrukturimin e partisë. Rëniet drastike që patëm në Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, në Prishtinë e në shumë komuna tjera janë tregues i qartë se duhen ndryshime të mëdha, andaj është momenti i fundit që Presidenti të reagojë ndaj kësaj situate. Kosova ka nevojë për AKR-në” tha Matoshi, raporton rajonipress.
Duke komentuar shkrimet e fundit se AKR mund të ndërroj liderin e saj dhe partinë ta drejtojë Mimoza Kusari, Matoshi tha se i vlerëson që të dy këto figura dhe beson që secili nga këta mund të rikthejë fuqishëm AKR-në.
“Presidenti Pacolli është Brandi i AKR-së, është ideatori i saj, mendoj se nuk bën pa të, por ai duhet me patjetër të ndërroj mënyrën e udhëheqjes së partisë. Partia nuk është çështje shokësh e miqsh, në parti duhet të kenë vend udhëheqës vetëm ata që sjellin vota. Presidenti duhet të jetë më i vendosur dhe për hir të elektoratit të AKR-së të ndërmarrë veprime të shpejta.
Po në rast se Presidenti dëshiron të largohet nga drejtimi i partisë, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që ai të largohet nga partia ose t`i zbehet ndikimi që ka në të, në një situatë të këtillë mendoj se duhet të zgjedhim udhëheqësin e ri të partisë dhe Mimoza padyshim është pretendentja kryesore për këtë pozitë.
Në këtë rast pres që fillimisht të zgjidhet kryetari ose kryetarja e re e pastaj të mbajmë zgjedhjet nëpër komuna e që do të përfundonin me një kuvend zgjedhor ku do të zgjidheshin këshilli drejtues, kryesia, sekretarët dhe nënkryetarët e partisë” ka thënë Matoshi
Kjo situatë e krijuar degës së Kamenicës i shkakton telashe, sepse kryetari i Degës Fatmir Matoshi mendon se ka shumë njerëz që presin këto zhvillime për tu angazhuar politikisht në AKR.
“Ka njerëz me kredibilitet dhe shumë të respektueshëm në komunitetin ku jetojnë që janë të gatshëm që të na bashkohen, por nuk jemi ne në gjendje që t`i pranojmë sepse nuk jemi të sigurt me atë që po ndodh në parti. Gjendja në nivelin qendror na bën të mos ngutemi në këtë drejtim dhe ne kemi kërkuar mirëkuptimin e këtyre aktivistëve edhe për një kohë të shkurtër” ka thënë kryetari i AKR-së në Kamenicë Fatmir Matoshi./rajonipress/