Në ambientet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi dhe zv/ministrja e kësaj ministrie, Rita Hajzeraj-Beqaj kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi.
Me këtë marrëveshje, bëhet bartja e kompetencave nga MPMS-ja në komunën e Kamenicës për përkujdesje institucionale-rezidenciale për personat me aftësi të kufizuar mendore-ngecje në zhvillimin mendor, ashtu siç është përcaktuar në aktet përkatëse legjislative dhe në marrëveshjen në mes MPMS dhe MAPL të datës 18.01.2006.
Kalimin e këtyre kompetencave në nivel komunal nënkryetari Matoshi e ka cilësuar si një vlerësim të ngritjes së nivelit dhe përgjegjësisë qeverisëse të nivelit komunal në Kamenicës, dhe gjithashtu edhe si një detyrë dhe obligim shtesë për komunën karshi detyrave që ka për t`u shërbyer sa mirë qytetarëve të Kamenicës.
Gjatë takimit, zv.ministrja Rita Hajzeraj Beqaj, ka falënderuar nënkryetarin Matoshi dhe Komunën e Kamenicës për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunimin në mes nivelit lokal dhe atij qendror në sferën e çështjeve sociale, që kanë për qëllim ofrimin e shërbimeve sociale në nivel lokal, me çka këto shërbime do të jenë shumë më afër qytetarëve në nevojë.
Marrveshja hyn në fuqi nga data 1 janar 2016, dhe Komuna përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të bëjë nga kjo datë menagjimin e plotë të shtëpisë në komunitet në të cilën aktualisht jetojnë dhjetë persona me aftësi të kufizuara, ndërsa në të punon një staf prej gjashtë personash.