Lidhur me rastin e publikuar me datë 28.12.2015 në disa mediume dhe portale të ndryshme për dy kundërvajtjet e punonjësve policorë, të regjistruara përmes një video-incizimi ku shfaqet mos respektimi i semaforit nga punonjës të PK-së, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarr veprimet e brendshme hetimore lidhur me shkeljet e bëra nga dy veturat zyrtare të PK-së.
Me qëllim të informimit të opinionit të gjerë, PK, përmes një komunikate dërguar mediave, ka thënë se filluar hetimet e brendshme policore për identifikimin e punonjësve të involvuar, dhe në rastin konkret ku shihet vetura zyrtare “Toyota” duke bërë kundërvajtje në semafor (në rrugën Bill Klinton), është identifikuar punonjësi i PK-së dhe ndaj të njëjtit kanë filluar procedurat e brendshme lidhur me shkeljen e bërë.
Ndërsa në rastin e dytë, PK-ja thotë se është duke bërë hetime drejt identifikimit të automjetit (targave) dhe punonjësit të përfshirë në këtë rast.
“Të gjitha këto veprime janë ndërmarr në koordinim të plotë me Drejtorinë e Standardeve Profesionale dhe bazuar në gjetjet gjatë procedurave të verifikimit dhe hetimit do të ndërmerren masa adekuate ligjore dhe disiplinore ndaj secilit zyrtar që konstatohet se ka rënë ndesh me ligjin apo edhe me etikën profesionale”, thuhet në njoftimin për media të PK-së.
Policia e Kosovës me këtë rast ka falënderuar dhe njëherësh ka inkurajuar për bashkëpunim të qytetarëve në të gjitha fushat, “përmes së cilave synojmë ngritjen e mëtutjeshme të bashkëpunimit të ndërsjellët dhe ngritjes së imazhit të vazhdueshëm të PK-së”.
Policia e Kosovës thekson se nuk do të lejojë që “për shkak të individëve të caktuar të tolerojë lëkundjen e imazhit pozitiv që kemi krijuar deri më tani dhe respektit që gëzojmë si një ndër organizatat më të besueshme dhe transparente në vend, dhe për këtë nuk do të lejojmë të jetë askush mbi ligjin, e as punonjësit e PK-së”.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin dhe implementimin e ligjit, si dhe paraqitjen sa më profesionale gjatë realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore.