Moti

Tek vendi i quajtur “Uji i qeshmës” banorët e Karaqevës kanë protestuar në mbrojtje të kufirit. Selver Lenjani ka thënë se është momenti i fundit që Qeveria dhe Kuvendi të reflektojnë rreth zgjidhjes së kontestit kufitar në këtë pjesë të Kosovës. Edhe Ahmet Isufi ka thënë se kërkesat e banorëve janë të drejta dhe do të gjenden mënyra e rrugë për të mbrojtur me çdo kusht vijën kufitare.

Shumë banorë të Karaqevës së Epërme dhe të Poshtme kanë protestuar të premtën në mbrojtje të vijës kufitare. Selver Lenjani përfaqësues i fshatit është shprehur i zhgënjyer me mos pjesëmarrjen e institucioneve qendrore, dhe as të kryetarit të komunës, raporton rajonipress.

Megjithatë Lenjani ka thënë se Karaqeva është e palëkundur për të mbrojtur vijën kufitare dhe çdo pëllëmbë të Kosovës. “I bëjmë me dije Qeverisë dhe Kuvendit dhe Presidentes se është koha e fundit që të reflektojnë. Problemi kufitar është politik dhe kërkon ndërhyrjen e pushtetit qendror. Ndryshe nëse vazhdon të neglizhohet kjo situatë Karaqeva po tentohet të copëtohet”.

Lenjani para banorëve ka thënë se Karaqeva është e paluhatur në mbrojtje të vijës kufitare. Lenjani ka kërkuar nga pozita dhe opozita që të jenë unike kur është në pyetje vija kufitare.

Edhe Ahmet Isufi ka thënë se kërkesat e banorëve të Karaqevës janë të arsyeshme dhe ato do të përkrahen me të gjitha format e metodat. “Ne do të gjejmë rrugë e mjete për ta mbrojtur vijën kufitare dhe çdo cep e pëllëmbë të Kosovës” ka thënë Isufi.

Protesta ka kaluar e qetë ndërsa banorët janë revoltuar kur në protestë nuk e kanë parë Begzad Sinanin./rajonipress/
 
Top