Moti

Kamenicë - (Daut Maliqi “Kullat e krenarisë”, poezi, botoi “Rozafa” Prishtinë, 2016. Me përmbledhjen e poezive “Kullat e krenarisë”, Daut Maliqi ka vazhduar me ngulm rrugën e vet krijuese: formën e mbarështrimit të vargjeve, thellësinë e ndjenjës dhe kërkimin e figurave sa më të qëlluara poetike.

Ai kësaj radhe na vjen me një bagazh të madh temash, formash shprehëse dhe thyerjesh stilistike, duke e bërë gjithnjë të pazakonshëm edhe vargun më të zakonshëm, si mund të na duket në shikim të parë. Këtë ia ka mundësuar përvoja jetësore, përjetimi i shumë ndryshimeve që ndodhën në këtë vend dhe kontakti i vazhdueshëm me njerëzit e kësaj toke, me të cilët ishte në momente vuajtjesh e në momente ngjarjesh madhështore. Këtë më së miri e shpreh kur flet për gjeneratën e tij:

“Jetën duke shijuar me hapin e fitoreve,
ditëve të errëta e të ndritshme lapidari,
unin duke e larguar nga shpirtvrarjet,
aromë lulesh duke ndjerë me kohën,
arritjeve që shpesh kaluan ëndrrën.”

Dhe kjo kalueshmëri, e cila shkon edhe përtej ëndrrës, është thelbi i kësaj poezie dhe plotnia e botës shpirtërore të këtij autori. Është mu kjo ajo që këtë kohë e vulos me gufimin e dashurisë, me shpresat e ardhmërisë, me vitet e pleqërisë, të cilat ndaras e së bashku na e japin më fuqishëm frymëzimin krijues dhe gjerësinë e botës së një njeriu që pa shumë në jetë e që jetoi për të qenë i dobishëm për jetën e për të lënë gjurmë në të.

Daut Maliqi është një Ante, i lidhur pandashëm me vendlindjen e tij, Busovatën, të cilës ia kushton disa poezi dhe e cila mbetet e pranishme, edhe kur nuk përmendet në gjithë veprën. 

Në atë fshat ai ka kujtimet më të bukura, aty i ka ndryrë ngjarjet e paharrueshme të fëmijërisë e të rinisë, aty ka eshtrat e të parëve dhe të afërmit e dashur, aty ka e gjithë atë që tingëllon poetikisht me dukje, ma bukuri që nuk shterrojnë, me të jetuarit që ruan rininë e përjetshme. Dhe, kjo rini, e shfaqur poetikisht, mbetet për kohë të gjatë në mendjen tonë, si lexues të kësaj poezie./rrahim sadiku/rajonipress/

 
Top