Moti

Ishte vetëm dy vjeç e gjysmë kur familja e tij u detyrua të shpërngulet nga Kosova për në Turqi.
Është ky 85 vjeçari, Kadir Ornek, nga fshati Orllan i Komunës së Podujevës, i cili pas 82 viteve jetesë në Turqi, për herë të parë është pajisur me dokumente të identifikimit, vetëm për ta vizituar vendlindjen e tij, Kosovën.
Pavarësisht se është i kënaqur me kushtet që kanë në Turqi, ai ndjen mall për vendlindjen e tij.
Ornek, i cili qe 48 vite jeton në mesin e 800 mijë shqiptarëve në Bursë, së bashku me djalin Qazimin janë mysafirë në konakun e Bebushëve në Podujevë, tek nipërit e tij, pasi që anëtarët e tjerë të familjes jetojnë në Turqi.
Gjyshi i Kadirit, Mustafa Ornek së bashku me tërë familjen e tij ishte shpërngulur në Turqi në vitin 1929. Familjarisht kishin jetuar në Bafra të Samsonit në Turqi gjatë vitit 1934. Aty kishin jetuar deri në vitin 1967, kur edhe ishin shpërngulur në Bursa, që njihet si qyteti turk me rreth 70 për qind të banorëve të ardhur nga vendet e Ballkanit.
plaku-nga-turqia-270316
Ornek, i cili fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, përveç disa fjalëve që i ngatrroheshin me ato turke, rrëfen për KosovaPress jetën e tij në mesin e shqiptarëve të Turqisë dhe traditat e tyre, për të cilat thotë se gjeneratat e reja kanë filluar t’i harrojnë.


Ai fillimisht tregon arsyen se përse janë detyruar të shpërngulen në Turqi.
“Kur unë kam qenë 2 vjet e gjysmë, gjyshit tim Mustafën i kanë bërë spiunazh dhe kanë thanë që ai ka pushkë, mandej atë e kanë plaçkit por nuk kanë gjet asgjë… E kanë dërguar në burg, gjashtë muaj a shtatë sa ka nejt, edhe kish pas thanë që nëse është kësmet me dalë prej këtu, edhe nëse nuk vjen gruaja, unë do të shkojë në Turqi… Gjyshi i merr krejt e shkon në Turqi me katër djem…Baba im kishte shkuar në Viti për të punuar. Pas pesë viteve çelet dera e shkon baba në Stamboll e mbetet pa pare me nëntë anëtarë”, rrefën Ornek.
Ai tregon se fillimisht jeta në Turqi nuk ka qenë e lehtë. Është dashur të punojnë shumë për t’u adaptuar me jetën larg vendlindjes dhe për të siguruar ushqim për familjen.
Në Turqi ai ka punuar si bojaxhi deri në moshën 75 vjeçare, fal shëndetit të mirë që kishte.
“Në Turqi kur kam punuar, kam lye shtëpia… Kam punuar deri në 75 vjet, tash jam 85 vjet, qe 10 vite e kam lanë punën unë, në penzi nuk jam, kam pesë djem e dy çika… Ne kemi hjekë prej skamjes. Kur kemi dalë si refugjatë as një lugë nuk kemi marr prej këtu. Ne kemi hekë pa hëngër, pa rroba edhe rroktar”, tregon ai.
Ai është i rrethuar me shqiptarë në Bursë, gjë që ka ndikuar në ruajtjen e traditave shqiptare dhe të gjuhës shqipe.
“U kanë një rend me ne çka kemi shkuar prej Kosovës, krejt axhallarët e vëllezërit i kemi ndërtuar njëjtë qashtu. Atje kish pas moti shqiptar që kanë dal që nga pushtimi bullgar, të vendosur në një katund të madh. Nëna, baba e axhallarët nuk kanë dit turqisht, atëherë nuk ka pas shkollë. Kur u qel shkolla, ja nisen me hi nëpër klasë, e ja nisen edhe gjuhës turke. A ne nuk e kemi dit, unë hale bash mirë turken nuke di… Ka shumë, unë të thash na tash jemi në Bursë, ka shqiptarë shumë, por unë nuk i njoh. Ka por edhe ata ja kanë nis me u habit, një plak ja nisi me më fol turke, tani i thash pse po më flet turke”, rrëfen Ornek, duke shprehur dashurinë që ndjen për gjuhën dhe traditat shqiptare”, tha ai.
Por ai shpreh hallin që ka me gjeneratat e reja, të cilët kanë filluar të harrojnë gjuhën dhe traditat shqiptare, duke i zëvendësuar me ato turke.
“Tash të tregoj që gati jena bë njëjtë. Edhe kemi marrë edhe kemi dhënë. Këta të rinjtë me gjuhë janë kthyer andej pak që marrin vesh… Edhe traditat e ushqimit i kanë si turqit”, thotë më tej Ornek.
Plot 82 vite, ai ka jetuar në Turqi me mall për Kosovën, por meqë nuk ishte i pajisur me dokumente të identifikimit, ai e kishte të pamundur të vizitonte vendlindjen e tij në Podujevë, ku edhe po qëndron tash e disa ditë.
“Pasi je dal turist, t’i ka dhanë letrat, por pa i mbushur 15 vjet nuk t’i ka dhanë. Vëllezërve e këtyre tjerëve ua ka dhanë po mu jo se kam qenë i vogël, pa i bërë 15 vjet mua nuk m’i dhanë. Kur i bana 15 vjet e deshën me mi dhanë letrat, tani Menderosin e rrëzuan, u bë luftë, tani puna ime qaty është përzier, e kam mbetur. Deri tash unë kam qenë me 1 certifikatë, e kur erdh tash ky tjetri, unë ia tregova punën time… Ky regjim që është tash u bë shkas, e unë kam ardhur qitu”, tregon Ornek.
Në fund, ai flet për përshtypjet e tij për vizitën në Kosovë. Ai e njëjtëson jetën në Kosovë me atë në Turqi. Madje, përcjell edhe një mesazh te gjithë shqiptarët.
“Tash po e shoh që atje e këtu është bërë njëjtë. Qe tri ditë po rri po e shoh që këtu është bërë shumë mirë, është një punë që dijani vlerënshoku – shokut, e mos e pushtoni shoku shokun… Edhe ju tash qenkeni shumë mirë, qenkeni rahat e flini pa frikë deri në mëngjes”, thotë Ornek.
Kadiri dhe djali i tij Qazimi po qëndrojnë në shtëpinë e nipit të tyre, Ismet Hazirit, i cili jeton në Podujevë dhe merret me bujqësi.
Haziri rrëfen vizitat e tij në Turqi dhe qëndrimin tek të afërmit e tij. Tregon se ka vizituar të gjitha vendet ku kishin jetuar shqiptarët dhe shpreh habinë për ngjashmëritë në tradita, në ndërtimin e shtëpive dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.
“Në Bafër, një karakteristikë për t’u mbajtur mend ka qenë se ishte si këtu në zonën e Llapit, krejt ishin me mëhalla. Ishin shamallukët, reçictë, thojshin kanë jetuar këta. Krejt si katundet tona, ngjashmëria ishte e njëjtë edhe në shtëpi. Traditat i kishin ruajtur, shumica flisnin gjuhën shqipe më përjashtim të fëmijëve, ku këta të rinjtë nuk mundeshin të shqiptonin fjalët, por e dinin edhe prejardhjen prej nga janë. Kam pasur edhe mysafirë prej atje që nuk e kanë dit asnjë fjalë shqip, por kanë pas dëshirë për me dit se nga e kanë prejardhjen ap o gjenezën”, tha Haziri për KosovaPress.
Haziri më tej thotë se ka pasur ngjashmëri edhe në ushqim dhe pavarësisht që shumica prej tyre kanë lindur në Turqi, kanë arritur të ruajnë gjuhën dhe vlerat kulturore shqiptare. Ai thotë se do të vazhdojë lidhjen me ta edhe më tej.
Bursa njihet si qyteti turk ku 70 për qind e banorëve janë të ardhur nga Ballkani. Aty jetojnë rreth 800 mijë shqiptarë, 300 mijë prej të cilë ve flasin gjuhën shqipe./kp/
 
Top