Moti

Inflamacioni i muskulit të zemrës (miokarditi) mund të shkaktojë edhe vdekjen. Cilat janë simptomat e kësaj sëmundjeje dhe kur është sporti i pashëndetshëm?

Kundërshtarët e mjekes Ursula Hildebrant janë shumë të vegjël, shihen vetëm nën mikroskop. Megjithatë, ata edhe mund të vrasin. Këto janë mikrobe të cilat përmes qarkullimit të gjakut arrijnë deri te zemra dhe shkaktojnë inflamacionin.

Ursula Hildebrant punon në Fakultetin e sportit dhe edukatës fizike në Köln. Ajo shëron sportistët që janë të sëmurë nga inflamacionet e muskulit në zemër. Nëse vjen deri te kjo sëmundje, zemra nuk mundet të pompojë më sasinë e mjaftueshme të gjakut në organizëm.

Në parim çdo kush mund të preket nga kjo sëmundje. Edhe sportistët, edhe njerëzit të cilët çdo ditë qëndrojnë të ulur në divan”, tha Hildebrant për DW. Megjithatë, sportistët dhe njerëzit fizikisht aktivë janë më shumë të ekspozuar ndaj rrezikut. Në shumë raste deri te inflamacioni i muskulit të zemrës, miokarditisi, vjen kur njerëzit fillojnë të ushtrojnë me intensitet të lartë, pasi që kanë tejkaluar ndonjë infeksion.

Kur është e rrezikshme marrja me sport? Atëherë kur organizmi është i dobësuar nga ndonjë sëmundje. Në parim çdo organizëm është më i ndjeshëm ndaj infeksioneve menjëherë pas aktiviteteve sportive, sepse gjaku atëherë kalon më shpejt nëpër zemër.

Pas valvulave të zemrës paraqiten vorbullat e sforcuara në gjakun i cili qarkullon. Prandaj shkaktarët e inflamacionit mund më lehtë të gjenden dhe të mbesin në hapësirën menjëherë nën valvul. Pasoja e kësaj mund të jetë inflamacioni i muskulit të zemrës.

Prandaj është shumë e rëndësishme që çdo sëmundje të “kalohet” si duhet. Para se të fillohet, për shembull me vrapim, duhen të kalojnë së paku dy ditë nga temperatura e lartë e fundit, të cilën e keni pasur. Përveç kësaj, gjatë pastrimit të hundës me faculetë nuk duhen të mbesin gjurmë të verdha-gjelbra. Kjo është shenjë që bakteret janë ende në organizëm,

Për Ursula Hildebrant problem të veçantë paraqet ajo që shkaktarët e inflamacionit të muskulit të zemrës shkaktojnë simptoma të ndryshme. Ato fillojnë nga “mungesa e frymëmarrjes” dhe dhimbjet në gjoks, e deri tek tensioni i rritur dhe djersitja gjatë natës.

Pikërisht këto janë arsyet që diagnozat e sakta shpesh vijnë shumë vonë. Ndërsa kjo mund të jetë bombë e vërtetë me sahat: nëse i sëmuri papritmas i ekspozohet lodhjes fizike, inflamacioni i pazbuluar i muskulit të zemrës mund të shkaktojë ndërprerje në punën e zemrës dhe vdekje.

 
Top