Moti

Kryetari i Kamenicës Begzad Sinani, me bashkëpunëtorët ka pritur në takim Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, i cili shoqërohej edhe nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala, ministrat Arban Abrashi e Imet Rrahmani, zëvendësministri Bajram Gecaj dhe stafi i kabinetit të kryeministrit.

Kryetari Sinani, e falënderoi Mustafen  për bashkëpunimin e mirë të qeverisë lokale me atë qendrore dhe për mbështetjen për projekte të caktuara. “ Ne po përfundojmë me sukses disa nga pgprojektet e mbetura nga vitet e kaluara, dhe po realizojmë projekte të reja për të përmirësuar infrastrukturën në Kamenicë, dhe për të krijuar kushte sa më të mira edhe për zhvillim ekonomik e në veçanti për investitorët e jashtëm. 

Nga qeveria e Kosovës presim një përkrahje edhe më të madhe gjatë rishikimit të buxhetit, premtim ky që e kemi marrë edhe në takimet në Ministrinë e Financave, Kamenica ka nevojë për rregullimin e rrjetit të rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, objekteve shkollore dhe projekte të tjera të rëndësishme për qytetarët tanë” tha kryetari Sinani. Ai  i përmendi   të gjitha projektet në mënyrë të veç e veç.

Në fushën e sigurisë Kryetari Sinani e  ngriti çështjen e problemit të lëvizjes së lirë në Karaçevë

Kryeministri Isa Mustafa u shpreh i lumtur që në një kohë të shkurtër po realizon vizitën e dytë në Kamenicë. “Jam këtu për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër për të ju përgëzuar për punën e mirë që po bëni këtu. 
Jeta reale zhvillohet në Komuna dhe nëse këtu vazhdojnë të kryhen punët mirë ashtu si po kryhen, ne do të kemi më pak telashe në nivelin qendror. Kamenica do të jetë e përfshirë në një korrigjim të buxhetit që ka për qëllim ndarjen më të drejtë të buxhetit për komunat e Kosovës. Projektet tuaja janë mjaft të arsyeshme dhe do të kenë përkrahjen tonë” tha midis tjerash Kryeministri Mustafa. 

Mbështetje Komunës së Kamenicës i kanë premtuar edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, në projektet e ministrive të linjës.

Kryetari Sinani së bashku me Kryeministrin Mustafa dhe zyrtarët e tjerë vizituan Palestrën e Sporteve në Kamenicë, për të cilën tashmë është hapur tenderi për fazën e tretë të punimeve në këtë palestër dhe sipas zëvendëskryeministrit Shala, ajo do të jetë e gatshme gjatë këtij viti.




 
Top