Enver Sekiraça, i përfoluri për biznes të dyshimtë dhe i dyshimtë për vrasje e nxitje vrasjesh, është dënuar me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit Triumf Rizës.
Riza ishte vrarë në vitin 2007 në një rrugë të Prishtinës nga Arben Berisha.
Tani Gjykata ka vendosur se Sekiraça është fajtor për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës dhe e ka dënuar me 37 vjet burgim.
Trupi gjykues thotë se kjo vrasje është bërë në shenjë hakmarrje.
Sekiraça është shpallur fajtor edhe në pikën e dytë të aktakuzës për detyrim.Në këtë akuzë ai është dënuar me tre vjet burgim.
Trupi gjykues thotë se Sekiraça i ka kërkuar dhe detyruar këngëtaren Adelina Ismajli, ish e dashura e Rizës, që t’i jepte para.
“E ka kërcënuar në forma të ndryshme... detyrohej të linte para nën fshesën te dera e banesës ose në veturë. Kur refuzonte t’i paguante, i vandalizohej vetura ose i shkatërrohej banesa”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.
Ai është shpallur i pafajshëm në pikën e tretë për dhunim. Trupi gjykues ka thënë se në këtë pikë nuk ka mundur të vërtetonte se ai ka kryer vepra të tilla. (Koha.net)