Shkruan: Sylejman Morina
Më 1993, kohë lufte, Zara ishte e rrethuar nga forcat
ushtarake e paramilitare serbe, nga toka e deti. Qyteti kishte mbetur pa ujë e
dritë dhe herë pas here granatohej. Jeta e qytetarëve ishte bërë tejet e vështirë. Zara ishte qyteti
që kishte pësuar më së shumti, pas Vukovarit. Gazetari kroat
D.Mariq, në takim me te më thoshte se Zara kishte përjetuar tmerr të vërtetë në ato kohëra
Në këto rrethana të
vështira, veprimtari i shquar Enio Gërdoviq (1961-2016),
bashkë me intelektualët tjerë arbënesh, më 9 maj 1993,
themeluan shoqatën e tyre, të cilën e emërtuan ”Shoqëria e Arbëneshëve
të Zarës“. Shoqata kishte për qëllim mbrojtjen e interesave të arbëneshëve dhe
ruajtjen e identitetit kulturor të arbëneshëve, të gjuhës e traditave, si dhe
promovimin e tyre. Në kuvendin themelues, i cili qe mbajtur në sallën e
bashkësisë lokale të Arbëneshit, kryetar ishte zgjedh ekonomisti
Enio Gërdoviq, i cili e udhëhoqi me sukses shoqatën për
23 vjet, deri në
vdekjen e papritur, më 2016.Enio ishte i lindur
në Arbanas(Arbënesh), në kuartin më të bukur të qytetit të Zarës, në
një familje fetare e me dashuri ndaj traditës arbëneshe. Shkollën
fillore e kishte mbaruar në Arbënesh, të mesmen (ekonomi) në Zarë,
ndërsa studimet për ekonomi i kishte përfunduar në Universitetin e Zagrebit. Ka
qenë aktivist i shumanshëm, besimtar i devotshëm që ndihmonte kishën e Arbëneshëve,
me aktivitete të ndryshme.
Me angazhimin e tij
rivitalizohet ish-objekti i shkollës fillore të Arbëneshit, të cilin
kryebashkiaku i Zarës, Bozhidar Kalmeta, ia kishte dhënë për zhvillimin e
aktiviteteve. Sot, ky objekt është shndërruar në një qendër të
vërtet kulturore, ku zhvillohen shumë aktivitete. Aty
funksionon dega e bibliotekës së qytetit “Biblioteka e Arbanasit”
dhe zyrat e shoqatës. Po ashtu, në saje të këmbëngulësisë së tij, më
2008, kishte filluar kursi i mësimit të gjuhës arbëneshe për arbëneshët e
interesuar, si dhe kontributi nëpërmjet shoqatës që gjuha arbëneshe
të regjistrohet më 2013,në Ministrinë e Kulturës së Kroacisë, si trashëgimi
kulturore jo materiale. Ai kishte qenë pjesëmarrës në themelimin e Amzës
Kroate, Dega në Zarë, shoqatën ” Starinar”, për mbledhjen e materialeve
të vjetra që
kanë të
bëjnë me të kaluarën e Zarës.
Si
shumë arbëneshë , dhe ai kishte qenë pjesëmarrës i
luftës për çlirimin e Kroacisë. Zakonisht , aktivitetet më
të shumta janë të lidhura me ditën e kishës së Arbëneshit(
Zoja Jonë) . Manifestimi më madhështor
ishte organizuar në 2006 me rastin e 280
vjetorit të ardhjes së arbëneshëve në Zarë .Pas kishës ”Zonja Jonë”
shoqata ishte shndërruar në simbol të Arbëneshit ( Arbanasit), në saje të
aktiviteteve të shumta, si: botimin e librave, promovimin e veprave
me interes për kulturën e historinë arbëneshe , ekspozita me motive arbëneshe ,
organizimin e vizitave me arbëneshë në Mal të Zi dhe Shqipëri. Për ditën
e Kishës së Arbëneshit, gjithherë
shfaqeshin aktivitete kulturore. Ai arriti që shoqata të krijojë lidhje
bashkëpunimi me shumë shoqata, institucione në nivel të Zhupanisë së Zarës, si
dhe të krijojë lidhje e bashkëpunim edhe me ambasadat e Shqipërisë e
Kosovës, dhe institucionet tjera të këtyre shteteve. Në
emër të shoqatës i kishte ftuar intelektualët e ndryshëm shqiptarë e
kroatë, profesorë nga Universiteti i Zarës, të ishin pjesëmarrës
në organizimet që bënte shoqata, qoftë në promovime librash, qoftë me kumtesa e
referate.
Takimi i pa realizuar
Me vdekjen e Enios,
familja (gruaja Mirjana dhe fëmijët Josipi e Anamarija) humbi njeriun e dashur
të saj, ndërsa shoqata humbi kryetarin e pa lodhshëm, arbëneshët humben
një aktivist të shquar, humbën njeriun e aksioneve dhe veprimeve,
njeriun që punoi gjithherë për interesa të tyre. Kisha humbi një besimtar të
devotshëm dhe aktivist të dalluar.
Enio i kujtohet secilit që e njohu atë dhe
që bashkëpunoi me te ka kujtime të mira. Secili prej tyre ka mundur të vërente
diçka të veçantë në personalitetin e tij, diçka që e bënte të afërt dhe të
pranueshëm për secilin. Unë pata fatin ta takoja atë vitin e kaluar, në
manifestimin kulturor kushtuar 290-vjetorit të shpërnguljes së
arbëneshëve në Zarë. Ndjej një keqardhje që nuk pata mundësi të
qëndroja më gjatë në takim me të, duke menduar se do të takoheshim
përsëri, por Perëndia vendosi ndryshe.