Kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri se Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli në PAN është i vdekur politikisht.
Matoshi në një prononcim për Indeksonline është shprehur se Lufi Haziri ia ka shtuar vetes edhe galjen e AKR-së, duke thënë se LDK shumë herë ka shkelur partneritetin e marrëveshjen me AKR-në.
"Mu ka dhimtë Luta që i ka shtu vetës edhe gajlën e AKR-së. Lutfi Haziri e din më së miri se sa herë deri më tash LDK e ka shkelur partneritetin e marrëveshjen me AKR-në. Si nënkryetar i LDK-së është dashtë me u kujdes që kjo mos me ndodhë. Deri më sot Presidenti Pacolli për asnjë moment nuk e ka menduar interesin e AKR-së, por interesin e Kosovës” ka thënë Matoshi.
Ai me tutje është shprehur se për gjendjen e sotme politike fajtor është LDK dhe VV.
Ai ka shtuar AKR nuk është e PAN, as LDK e as VV.
"Falë kryeneqësisë politike të LDK dhe VV jemi në këtë gjendje, përndryshe ne jemi subjekte politike që garojmë për të marrë mbështetje qytetare për të ardhur në qeverisje. AKR nuk është as PAN, as LDK e as VV, pavarësisht faktit se kush janë partnerët tanë në qeverisje, ne dallojmë nga të tjerët. E ardhmja jonë si parti do të varet saktë nga puna jonë dhe jo nga performanca e partnerëve tanë. Tek e fundit LDK ende është gjallë edhe pas ma shumë se dhjetë vjet bashkëqeverisje me PDK-në. Kosova duhet të ecë përpara - nuk ka kohë të pres sepse edhe ashtu tepër vonë jemi si shoqëri e si shtet në raport me vendet tjera” është shprehur Matoshi.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri gjatë një interviste ka thënë se në rast që partneri i tyre, AKR, kalon në koalicionin PAN, atëherë ata do të jenë “të vdekur politikisht”.
Ndërsa, për koalicionin e LDK-së me AKR-në Haziri është deklaruar se Behgjet Pacolli nuk ka vullnet dhe asnjë motiv që ai të bëjë ‘salto mortale’ në politike./Indeksonline/