Moti

Partia Demokratike e Kosovës ka publikuar CV-në e Kujtim Gashit, kandidat për kryetar të Komunës së Kamenicës, i cili ka një bagazh të mirë si në qeverisjen lokale po ashtu edhe në atë qendrore.

Më poshtë mund të lexoni CV-në e plotë të Kujtim Gashit:

Kujtim Gashi, me një të kaluar të pasur profesionale, njihet për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm për kontribut në zhvillimin ekonomik të Komunës së Kamenicës - të cilës i ka kushtuar vëmendje të veçantë dhe nuk i është ndarë asnjëherë edhe teksa punonte në Prishtinë në pozita të larta udhëheqëse.

Gashi është në përfundim të doktoratës në Universitetin e Tiranës në fushën e qeverisjes elektronike, fushë kjo që e zotëron me shumë përgjegjësi dhe angazhohet që institucionet publike të bëjnë reforma të vazhdueshme për të lehtësuar shërbimet për qytetarët.

Nga dhjetori i vitit 2013 është emëruar në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike.

Gjatë kryerjes së kësaj përgjegjësie, ka menaxhuar me sukses projekte të rëndësishme për qeverisjen elektronike dhe reformimin e shërbimeve të administratës publike për qytetarët.

Katër vjet ka ushtruar funksionin e Udhëheqësit të Divizionit në Departamentin e e-Qeverisjes dhe proceseve Administrative në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike.

Kujtim Gashi ka shërbyer për dy vjet në krye të Administratës në Komunën e Kamenicës, në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njeh shumë mirë funksionimin e Administratës dhe reformat që duhet të ndërmerren për të ofruar një qeverisje transparente dhe shumë efikase në shërbim të gjithë qytetarëve të Kamenicës - pa dallim.

Para angazhimit në institucionet publike komunale, Gashi ka punuar për pesë vjet si oficer i lartë doganor, fillimisht në doganat e UNMIK-ut, ku ka vazhduar edhe pas transformimit në Dogana të Kosovës.

Po ashtu, ka punuar për një periudhë të shkurtër kohore edhe si profesor në shkollën e mesme në Kamenicë, ndërsa rreth 14 vjet ka zhvilluar biznes në sektorin privat.

Përvoja e tij nga zhvillimi i karrierës si ndërmarrës privat deri te punët në institucionet lokale dhe në qeverisje qendrore, e bëjnë Kujtim Gashin kandidat të përgatitur dhe të gatshëm për të udhëhequr me sfidat për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Komunës së Kamenicës.

Kujtim Gashi është i lindur më 1972 në Kamenicë. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Jeton me bashkëshorten, fëmijët si dhe prindërit e tij në Kamenicë.

 
Top