Moti

Duke i punuar blloqet themelore të ndërtimit të baterive nga filamenti (ngjyra e printerit 3-d), shkencëtarja e Harvard-it, Jennifer Lewis po vendosë themelet për prodhimin e baterive litium-jon por edhe për pajisje elektronike të tjera të cilat do të mund të prodhohen me printer 3-D. 

Megjithëse teknologjia është ende në një fazë fillestare, aftësia për të shtypur bateri dhe pajisje tjera elektronike do të bëjë të mundur prodhimin e llojeve të reja të pajisjeve.

Imagjinoni për shembull sensorë biomjekësorë që karikohen vetë, të cilët do të mund të vendosen nën lëkurë dhe më pas do të transmetonin shenjat vitale në celularin tuaj.

Por edhe produktet ekzistuese do të mund të bëhen më të thjeshta dhe efikase. Për shembull mbështjellësi plastik i aparatit ndihmës për dëgjim tashmë mund të printohet në 3-D, duke e bërë atë të përshtatshëm për veshin e një mbajtësi.

Sot për sot pjesët elektronike janë të prodhuara veç e veç, dhe bateritë shpesh janë të llojit që duhet të zëvendësohet shpesh. Nëse pajisjet elektronike do të printoheshin në 3-D së bashku me bateri, produkti final do të mund të bëhet më shpejtë dhe pa gabime.

Teknologjia e printimit 3-D punon në temperaturë dhome, e jo në temperatura të larta që kërkohen zakonisht për të punuar me elektronikë. Kjo bën të mundur që të printohen materialet në plastikë pa shkaktuar dëme. Mirëpo nuk është materiali për bateri ai i cili e bën këtë proces revolucionar, thotë Jennifer Lewis:

Jennifer Lewis
 "Revolucioni i vërtetë është mënyra se si gjërat  prodhohen." thotë Lewis.

Bateritë litium-jon që prodhon Lewis janë të vogla një milimetër katror, por performanca e tyre është e njëjtë me bateritë komerciale, sepse Lewis mund të punojë me arkitekturë mikroskopike, si dhe mund ti pozicionojë strukturat me saktësi 100-nanometer, duke pasqyruar kështu strukturat e baterive shumë më të mëdha.

Grupi i shkencëtares Lewis mban tetë patenta për teknologjinë e saj dhe është duke punuar në licencimin dhe komercializimin e kësaj teknologjie në vitet e ardhshme. /Yll Kallaba
 
Top