Moti

Shkencëtarët kanë thënë se nëse të gjithë duhanpirësit në botë do t’i ndërronin cigaret tradicionale me cigare elektronike, miliona njerëz do të mund t’i shpëtonin vdekjes
Kalimi nga cigaret tradicionale në cigare elektronike mund t’i kursejë jetën miliona duhanpirësve, është thënë në një konferencë për pajisjet gjithnjë e më të popullarizuara, ndonëse disa ekspertë kanë paralajmëruar se nevojiten më shumë hulumtime për efektet ndaj shëndetit.
Dobitë e cigareve elektronike janë përmendur gjatë një tubimi njëditor të nja 250 shkencëtarëve, politikëbërësve, figurave industriale dhe entuziastëve në Shoqërinë Mbretërore në Londër.
Përdorimi i cigareve elektronike – pajisje me bateri që simulojnë duhanpirjen nëpërmjet nxehjes dhe avullimit të një lëngu që përmban nikotinë – është rritur me shpejtësi, teksa edhe prodhuesit e duhanit tani po i bashkohen trendit. Shitjet vjetore janë dyfishuar në katër vjetët e fundit dhe cigaret elektronike përdoren nga rreth shtatë milionë njerëz në Evropë, kanë thënë organizatorët.
Ligjbërësit evropianë në tetor kanë lëshuar një përpjekje për të frenuar shitjen e cigareve të tilla, duke i klasifikuar ato si produkte mjekësore. Delegatët në Londër kanë debatuar se si tregu ka lëvizur më shpejtë sesa shkenca apo ligji. Shumë delegatë kanë përdorur cigaret elektronike gjatë mbledhjeve të konferencës, përfshirë një njeri që nxirrte shtëllunga nga një nargjile elektronike.
“Cigaret po mbysin 5.4 milionë njerëz në vit në botë”, ka deklaruar Robert West, një profesor i psikologjisë shëndetësore dhe drejtor i hulumtimeve për duhanin në “Cancer Research UK”.
Ai ka thënë se kalimi në cigaret elektronike mund të kursejë miliona jetë, por debati ka qenë për atë se “a ka gjasë që të arrihet ky qëllim dhe se cila është mënyra më e mirë për ta arritur atë”.
Profesori West ka thënë se pothuajse një e treta e përpjekjeve që bëhen për ta lënë duhanin përfshijnë përdorimin e cigareve elektronike. Ndonëse këto pajisje vlerësohet të jenë ndërmjet 95 dhe 99 për qind më të sigurta se cigaret tradicionale me duhan, disa vende i kanë ndaluar ato.
Deborah Arnott, shefe ekzekutive e organizatës për lobim “ASH”, ka paralajmëruar se nuk dihet shumë për efektet e tyre, dhe ka theksuar se kompanitë e duhanit po hyjnë në tregun e cigareve elektronike. “ASH mendon se cigaret elektronike kanë potencial të madh. Ato janë shumë më të padëmshme sesa cigaret tradicionale”, ka deklaruar ajo për “AFP”. Megjithatë, “ekziston një shqetësim i qartë se efektiviteti dhe siguria e tyre nuk është e garantuar pa rregulla”, ka thënë ajo.
“Kompanitë e duhanit po veprojnë. Për to, ky është një moment me gjasë vendimtar, sepse nëse të gjithë kalojnë në cigare elektronike, ata do të humbnin hisen e tyre në treg, prandaj duhet të jenë të përgatitura. Shumë kompani të cigareve elektronike tashmë janë blerë”, ka shtuar Arnott.
 
Top