ReSPA është një organizatë ndërkombëtare misioni i të cilës është thellimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e administratës publike në Ballkanin Perëndimor. Si e tillë, ReSPA është një përpjekje unike historike e themeluar për të mbështetur krijimin e sistemeve të përgjegjshme, efektive dhe profesionale të administratës publike për Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre për pranimin në BE.
Selia e ReSPA-s është në Danilovgrad të Malit të Zi, si dhe është pjesë e një rrjeti kredibil evropian dhe të sistemit të OKB-së në administratë publike, siç është UNPAN, IIAS, NISPA, IASIA, EGPA dhe ASPA.
Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është një hap i rëndësishëm në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, dhe fuqizimin e bashkëpunimit rajonal e shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit e më gjerë.
Anëtarësimi në të gjitha organizatat relevante rajonale, evropiane e ndërkombëtare është një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, dhe pjesë e angazhimeve të ministrit Enver Hoxhaj.