Një marrëveshje historike është arritur të dielën në mëngjes në mes të Iranit dhe gjashtë fuqive botërore SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Britani dhe Gjermani rreth programit bërthamor të Teheranit që ngadalëson programin e zhvillimit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së disa sanksioneve dhe këmbim të 7 miliardë dollarëve përfitime të menjëhershme për Iranin.
Presidenti i Shtetete të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama e mirëpriti arritjen e kësaj ujdie, e cila sipas tij “përfshin kufizimet e nevojshme që do të pengojnë Iranin nga avancimi në një program të mundshëm bërthamor për qëllime ushtarake”, transmeton TCH.
Nën këto kufizime, Teherani mundet ende të përdorë energjinë nukleare për qëllime civile.
Megjithatë, Irani do të lejojë inspektorët ndërkombëtare të realizojnë një monitorim të plotë të të gjithë qendrave të tij të pasurimit të uraniumit dhe në reaktorët përkatës.
Presidenti Hassan Rouhani, në një fjalim adresuar kombit, përshëndeti marrëveshjen e arritur me komunitetin ndërkombëtar.
Ai theksoi edhe një herë më shumë të drejtën sovrane të Iranit për të përdorur energjinë bërthamore, ndërsa përsëriti se asnjëherë vendi i tij nuk ka synuar të ndërtojë një armë bërthamore.
Megjithatë, ministri izraelit i Inteligjencës Yubal Steinitz përsëriti qëndrimin e qeverisë izraelite kur tha të dielën në mëngjes se amendamentet e përfshira në çastet e fundit e bëjnë këtë marrëveshje aspak të kënaqshme"
"Kjo marrëveshje është ende e keqe dhe do të bëjë situatën edhe më të vështirë se më parë për të arritur një zgjidhje të përshtatshme në të ardhmen," tha ai.