![](https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEgyz7XMAotaDTSOsvaIZA-dsHUW2xLsXjDxJVTmt_KYoFTefsTXgqHEL-v2ITsbRSs51prkJI3J5Y5br8S_xnfIx-dAwsOLzkynOiTKgH7wZgv-Kpe5flpVoVKbDMlWQhlW0wuzIqFJG2I/s320/nazmie+demolli+1.jpg)
Nazmie Demolli është një këngëtare me përvojë. Ajo është e lindur në Kamenicë (Dardanë). Nazi, si e quajnë, nga mosha e re e ka dashur këngën. Thotë se këtë “magji” arti e ka trashëguar nga prindërit e saj. Dhe as sot e as nesër nuk mendon të largohet nga kënga.
Ndonëse nënë me fëmije (djalë), ajo gjen kohë jo vetëm të bëj punë shtëpie, por gjen kohë edhe të këndojë e të kryjë punë zyrtare në Komunën e Kamenicës. Zëri i saj është shumë i adhuruar nga artdashësit e këngës. Kjo e re ka pasion këngën. Nazmie Demolli ka të kryer me sukses të merituar shkollën fillore “Fan S. Noli” dhe të mesmen, mjekësinë “Dr.Asllan Elezi” në Kamenicë.
Pastaj, ajo ka vazhduar studimet në Fakultetin e Mësuesisë të Universitetit të Prishtinës, pastaj studimet postdiplomike në UP, në Fakultetin Filozofik, drejtimi Pedagogji e Përgjithshme, ku ka përfunduar me sukses dhe ka marr titullin MASTER e Shkencave Pedagogjike. Besoj që në të ardhmen Nazmia do të vazhdojë ta kryejë doktoraturën, por pa e lënë anash asesi muzikën popullore. Tani punon në Kuvendin Komunal të Kamenicës në pozitën: Koordinatores në Njësinë komunale për të Drejtat e Njeriut. Për gazetën “Bota sot” bëmë një intervistë me të e cila, si tha, është lexuese e rregullt e gazetës në fjalë.
“Bota sot”: Cila është Nazmie Demolli - Kastrati, sot ?
Nazmije Demolli: Po. Jam e këngëtare e “rryer” e këngës popullore. Me kohë i kam thyer “barierat” e këndimit. Këndoj jo për vete, por për adhuruesit e këngës popullore. Kënga popullore më flë në shpirt e zemër...Me kohë kam kënduar nëpër festivale të ndryshme mbarëkombatëre, në të cilat kam marrë pjesë, jo vetëm që jam pritur mirë nga ana e publikut, por edhe juria profesionale më ka vlerësuar si këngëtare me talent, ku, nëse më ipet mundësia do të jem e njohur në të gjitha trevat shqipëtare. Jam këngëtare nga Dardana dhe e shkollare. Tash jam me titull Master e Shkencave Pedagogjike. Ju them troç: jetoj në Kamenicë. E dua vendlindjen time. Kjo më pëlqen.
“Bota sot”: Si keni hyrë në artin e këngës ?
Nazmije Demolli: Po, lehtë, fare lehtë. Me muzikë kam filluar të merrem që nga mosha pesëvjeçare. Më kujtohet që i kam përcjellë shumë emisionet folklorike që janë transmetuar në RTP, të cilat emisione më kanë dhën “fuqi” ta dua muzikën. Kështu më lindi dashuria që të merrem me muzikë. Por, gjyshi im, adhurues i këngës folklorike, si e vogël kur isha, ma bleu qiftelinë dhe prej atëherë kam filluar që ti bie e të këndoj. Andaj, të gjitha meritat dhe shpërblimet e mia janë meritë e gjyshit tim, ndjesë pastë, i cili gjithmonë më ka përkrahur dhe ka qenë gjthmonë pranë meje të më nxisë ta dua artin muzikor.
“Bota sot”: Çka do të thotë për ju të jeni këngëtare?
Nazmije Demolli: Po. Të jesh këngëtare nuk është punë e lehtë, e sidomos në këtë kohë ku ka konkurencë të fortë dhe po dominojnë zhanre të ndryshme të muzikës. Mirëpo, ne jemi munduar edhe do të mundohemi që traditën, kulturën dhe vlerat e folklorit tonë t’i kultivojmë dhe t’i bartim këto vlera tek gjeneratat e reja, edhe pse është shumë e vështirë, ngase e dimë të gjithë se muzika sot nuk dëgjohet, por shikohet, gjë që e ka dëmtuar shumë zhanrin folklorik, por megjithatë po mbahet gjallë e për “gazepi”. Kjo është fakt. Sot, më tepër të rinjtë janë të lidhur me këngën “tallava”, e cila më pak ka vlera se ajo popullore. Me këngën popullore, njerëzit e kanë përballuar luftën. E kanë parë plumbin ka e vret, e nuk është frikësuar. Pra, është art shpirtëror, e jo vetëm ana e dëgjimit të tingujve...
“Bota sot”: Sa e doni këngën dhe sa ajo ju ofron për të kënduar?
Nazmije Demolli: Nuk mund ta hapi zemrën dhe t’ju tregoj se sa shumë e dua këngën. Këngën e kam hobi jete e pune. Këngën e dua shumë, që s’ka fjalë që mund ta përshkruaj këtë “dashuri” të thellë shprtërore. As poet e as skrijues s’mund ta thotë ndjesinë dhe dashurinë që unë djej ndaj këtij arti magjik. Pse jo? Këngë, o kënga e vërtetë, ti që buron nga thellësia e zemrës. Je si kënga e Migjenit, kur thotë: “Rini, thuaja këngës që di...thuaja këngës gëzim plote...” Kjo “magji” e thellë del nga thellësia e shpirtit tim. Dhe, kur këndoj, ndjehem shumë mirë dhe ndjej obligim që çdo herë të jem e përgaditur dhe mos ta zhgënjej publikun tim, i cili çdo herë më pret shumë mirë dhe i cili më nxitë që të punoj më shumë për ta.
“Bota sot”: Cilat janë shpërblimet tuaja si këngëtare?
Nazmije Demolli: Shihni, gjatë karrierës sime si kënngëtare, kam marrë shumë shpërblime, shumë mirënjohje e durtrokitje të gjata. Mirëpo, medoemos do ti veçoj disa prej tyre: zura vendi i parë “Nata e rapsodëve,” në Kamenicë, më 2005; për interpretim, po ashtu kam zënë vendin më të mirë në Festivalit në FF “I këndojmë Lirisë” në Klinë, më 2005; më është dhënë çmimi i publiku, në Festivalin ”I këndojmë Lirisë, më 2006” në Klinë, 2006; më ka takuar Mirënjohje për kontributin e dhënë në lëmin e folklorit, Klinë, 2010; mandej jam shpalllur Interpretuesja më e mirë e Festivalit “Eshkë e ndezur mbi Shkelzen” në Deçan, më 2009; jam shpallur këngëtarja më e mirë e Festivalit në FF “Kaqaniku, më 2010” në Kaqanik; ka zënë vendin e dytë “Rapsodia shqiptare” Skenderaj, më 2010; po ashtu jam shpallur solistja më e mirë e Festivalit, “Anadrinia Jehon, 2011” Denjë-Rahovec, etj
“Bota sot”: Cilin zhanër të muzikës (këngës) e preferoni ose e adhuroni?
Nazmije Demolli: Të gjitha zhanret më pëlqejnë, por ajo që më flen në shpirt është muzika folklorike dhe popullore, të cilën e këndoj me shumë ëndje dhe dashuri. Kjo është “ëndrra” ime e jetës. Pa këtë “ritëm” popullor, s’di si mund të jetoj...
“Bota sot”: A është vështirë të jesh këngëtare para publikut?
Nazmije Demolli: Është përgjegjësi e madhe të jesh para publikut, ngase je në qendër të vëmendjes dhe kuptohet që duhet të jesh e përgaditur në mënyrë që të mos bësh ndonjë gabim, por të jetë gjithçka e përkryer.
“Bota sot”: A i këndoni dashurisë apo motiveve tjera?
Nazmije Demolli: I këndoj edhe dashurisë, por edhe motiveve të tjera. Veçantë i këndoj motivit patriotik, pra i këndoj këto këngë atdhetare nëpër koncerte, manifestime që organizohen për data të rëndësishme historike tonat, ndërsa motivi i dashursë dominon më shumë në ahengje ose në dasma familjare.
“Bota sot”: A keni shoqëri dhe si e ndani jetën me ta?
Nazmije Demolli: Po kam shoqëri, por kohëve të fundit për shkak të agazhimeve të shumta që i kam nuk po mundemi të takohemi shpesh, mirëpo komunikimin e mbaj vazhdimisht qoftë përmes telefonit apo edhe postës elektronike.
“Bota sot”: Keni ndonjë porosi për të tjerët?
Nazmije Demolli: Mesazhi im për të gjithë, e sidomos për të rinjtë, është që të mos e lënë anash folklorin popullor. Ta duan dhe ta kultivojnë atë, sepse folklori është trashëgimia jonë më e vlefshme kombëtare.