Surdulli: Nuk frikësohem aspak nga koalicioni i PDK-së
Unë kam shumë qytetarë që po më mbështesin mua dhe LDK-në dhe jam i sigurt se do ta fitojmë balotazhin.
Përkundër koalicioneve të paralajmëruara nga ana e PDK-së në Kamenicë me AAK e AKR ky fakt nuk e tremb aspak Shaip Surdullin e LDK-së.
Surdulli thotë se agjenda dhe përkrahja për të si kandidat tashmë po vijë nga të gjitha kategoritë e shtresat në Kamenicë.
”Dega e LDK-së, dhe shtabi zgjedhor jemi duke punuar çdo dite dhe çdo natë me qytetarët e komunës së Kamenicës, jemi duke kontaktuar me klube, shoqata dhe ndërmarrje publike, dhe jemi duke mbajtur takime nëpër lagje të ndryshme dhe besoj që me 1 dhjetor do të jemi fitues” thotë Surdulli.
Surdulli tha se koalicionet zyrtare dhe jo zyrtare të kundër kandidatit Begzad Sinani nuk do të ndikojnë shumë, sikur që nuk kanë ndikuar për vota keqpërdorimet e buxhetit komunal në vitin 2009 kur ka qenë ai dy vite kryetar i komunës.
“Koalicionet e kandidatit të PDK-së , Begzad Sinani neve nuk na bëjnë përshtypje, sepse nuk janë koalicione parimore për interes të komunës, por përkundrazi janë koalicione për interesa të një grupi të ngushtë të personave që nuk kanë me pasur përkrahje as nga subjektet e tyre politike, sepse qytetarët vendosin për kryetarin e komunës. Ata vendosin për të drejtën, për punën e mirë, për të ardhmen e tyre, e këto janë disa nga arsyet që ne do të jemi fitues dhe bashkërisht me qytetarët do të bashkeqeverisim me kompetenca të plota, e jo mos me u dite se kush çka merr nga koalicionet e fshehta” tha Surdulli.
Surdulli shtoi më tutje se ai dhe stafi i tij janë krenarë që kanë bërë punë të mira për qytetin e Kamenicës dhe realisht kanë punuar e realizuar shumë projekte ku përfitues janë qytetarët. “Jemi ballëhapur në këtë proces zgjedhor dhe jemi shumë të relaksuar pasiqë qytetari e ka vlerësuar drejtë angazhimin tonë konkret që kemi bërë gjatë qeverisjes sonë” tha Surdulli. (rajonipress)