Moti


Qeveria e Kosovës ka marrë hua 16 milionë dollarë nga Fondi për Zhvillim i Mbretërisë së Arabisë Saudite, të cilat do të shfrytëzohen për ndërtimin e rrugës Prishtinë - Mitrovicë. 

Marrëveshja është nënshkruar të martën nga ministri i Financave (MF), Besim Beqaj dhe zëvendëspresidenti i Fondit për Zhvillim të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed A. Al-jenaidel.

Ministri Besim Beqaj ka deklaruar se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak se shënon fillimin e marrëdhënieve konkrete në mes të dy vendeve tona duke nënshkruar marrëveshjen për financim të përbashkët në mes të Fondit Saudit për Zhvillim, OFID-it dhe Bankës Islamike për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës për financimin e rrugës M2 në drejtim të Mitrovicës. “Rruga M2 në drejtim të Mitrovicës ka një rëndësi të veçantë për shkak se nevoja për zhvillim ekonomik dhe lidhja e këtyre qyteteve është shumë e rëndësishme për të ardhmen ekonomike të vendit, por edhe për të ardhmen politike të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Beqaj, duke shtuar se ky është projekti i parë.

“Besojmë se do të pasojnë edhe më shumë projekte të tjera në vijim. Deri më tani kemi gatishmërinë për projektet, të cilat janë në fushën e shëndetësisë dhe do t’i trajtojmë gjatë vitit 2014 të gjitha këto me potencialin tonë maksimal”, ka thënë ai.

Beqaj ka deklaruar se marrëveshjen e sheh si një derë të re të bashkëpunimit, e cila do të mbetet gjatë e hapur. “Bashkëpunimi ynë me institucionet financiare ndërkombëtare, qoftë nga vendet e Perëndimit, qoftë edhe nga vendet e Lindjes së Mesme, është i mirëpritur në Republikën e Kosovës dhe këto na mundësojnë që së bashku ta bëjmë një zhvillim ekonomik për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj, por edhe t’i promovojmë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet shteteve tona, në këtë rast me Arabinë Saudite”, është shprehur Beqaj.

Kurse zëvendëskryetari i Fondit për Zhvillim të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Yousef Al-Bassam, ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një provë e fuqishme dhe e gjallë e zotimit për bashkëpunim. “Presim ditën kur do të bashkohemi në rastin e përurimit dhe inaugurimit të këtij projekti të rëndësishëm rrugor.

Fondi Saudit për Zhvillim është i vetëdijshëm për problemet dhe nevojat zhvillimore në shumicën e vendeve të reja në Evropë, siç është Kosova në këtë rast”, ka theksuar ai, duke shtuar se Fondi Saudit është shumë i interesuar ta thellojë bashkëpunimin e tij në Kosovë dhe të bëjë çfarë është e mundur për të ndihmuar në implementimin e projekteve zhvillimore në sektorët e ndryshëm të ekonomisë së Kosovës.

Huaja prej 16 milionë dollarësh do të fillojë të kthehet në gusht të vitit 2018 dhe do të përfundojë në shkurt të vitit 2033.
04 Dhjetor 2013
 
Top