Rreth 600 pacientë çdo vit preken nga kanceri i mushkërive, ndërkohë që rreth 500 jetëve duket se iu është zgjatur jeta si pasojë e diagnostikimit në kohë të kësaj sëmundjeje. Të dhënat bëhen publike nga shefja e Shërbimit të Imazherisë në Spitalin Universitar të Mushkërive "Shefqet Ndroqi", Arjana Sina.
Në këtë intervistë, dhënë për "Gazeta Shqiptare", mjekja shpjegon mënyrat për diagnostikimin e hershëm, ndërsa thekson se marrja e materialit për biopsi nën drejtimin e skanerit është një procedurë inovative, që zbatohet në këtë spital e që pikërisht falë saj kanë përfituar edhe pacientët e mësipërm.
Doktoreshë, sa i rëndësishëm është diagnostikimi i hershëm i kacerit të mushkërive?
Spitali Universitar "Shefqet Ndroqi" merret me të gjitha patologjitë e mushkërive, duke përfshirë sëmundjet tumorale dhe ato jo tumorale, por fokusi dhe shqetësimi kryesor i mjekëve, pacientëve dhe shoqërisë sigurisht që është kanceri. Nga kjo sëmundje humbin jetën rreth 600 pacientë në vit dhe po kaq raste të reja kemi në vit. Për këtë lloj shpeshtësie i është dhënë një rëndësi shumë e madhe, në mënyrë që kjo patologji të kapet dhe të zbulohet sa më herët të jetë e mundshme. Sa më herët të kapet, aq më e mirë është edhe prognoza e pacientit, që do të thotë: Jetë e gjatë dhe cilësi jete më e mirë për aq kohë sa do jetë i sëmurë. Të parandalosh dhe të kurosh në faza të hershme është edhe më e lirë për shtetin, sepse ka një kosto më të ulët sesa të mjekohet në stadet e avancuara.
Cilat janë disa nga metodat për zbulimin e tij?
Përveç imazherisë diagnostike, ku futen skaneri, grafitë apo të gjitha ekzaminimet që kanë të bëjnë me imazhet, spitali "Shefqet Ndroqi" ka 2 vjet që praktikon diagnostikimin e hershëm, duke marrë material për biopsi në mënyrë aspak të dhimbshme dhe që nga pacienti përjetohet mjaft mirë, pasi për këtë procedurë pacienti nuk duhet të shtrohet në spital. Nga kjo metodë ulet shumë edhe kostoja spitalore që do t'u nënshtrohej metodave të tjera diagnostike. Në momentin që kemi një përgjigje të saktë biopsie të materialit, pacienti thirret dhe bëhet nja strategji mjaft e mirë, e përshtatshme trajtimi, qoftë kirurgjikale, qoftë medikamentoze, bazuar në llojin e tumorit, stadin e tij dhe gjendjen e pacientit.
Si quhet kjo procedurë?
Marrje e materialit për biopsi nën drejtimin e skanerit.
Sa pacientë janë diagnostikuar në kohë nga kjo metodë dhe sa "jetë njerëzish mund të jenë shpëtuar" si pasojë e zbulimit të hershëm?
Gjatë këtyre dy viteve mund të kemi patur rreth 500 pacientë, që do të thotë se janë parë imazhe të dyshimta në skaner dhe për hir të kapjes shumë shpjet ne kemi raste që pas operacionit janë ndjerë shumë mirë.
Cili është marzhi i gabimit të diagnozës nga kjo metodë?
Fillimisht dua të them që shërbimi i anatomisë patologjike në spitalin tonë ka patur të njëjtin zhvillim sikurse dhe imazheria diagnostike dhe intervencionuese dhe na është përgjigjur në çdo moment me çdo koherencë sikurse në të gjitha spitalet evropiane. Diagnozat që ne kemi vendosur, kudo ku janë përballur në spitalet e tjera dhe në specialistë të tjerë evropianë kanë qenë 99 % të sakta. Pra ka të njëjtën vlerë me spitalet evropiane.
Kjo procedurë është unike, pra mund të kryhet vetëm në spitalin "Shefqet Ndroqi"?
Po, bëhet vetëm në spitalin tonë, duke mbuluar një pjesë të mirë edhe të pacientëve nga Kosova. Ka qenë një mbështetje shumë e madhe nga ana e gjitha strukturave drejtuese të spitalit "Shefqet Ndroqi".
Çfarë kostoje ka ky shërbim?
Kostoja e shërbimit është kostoja e skanerit dhe ages që përdoret për këtë procedurë. Ne kemi patur kontakte me Ministrinë e Shëndetësisë dhe kemi patur një procedurë njohje edhe nga ISKSH-ja në mënyrë që pacientët e siguruar të përfitojnë atë kosto që është e përballueshme mjaft lehtë nga të gjithë e që është 10% e shumës së gjithë procedurës.
Kur pritet të hyjë në fuqi?
Mendojmë që brenda vitit të ardhshëm të kemi një aprovim nga ISKSH-ja dhe ministria të kësaj procedure, në funksion të uljes së kostos të kapjes së hershme të këtij kanceri dhe përfitimeve të shumë palëve të tjera si nga pacienti, nga mjeku apo nga shteti.
Diçka tjetër për të shtuar?
Dëshiroj t'u bëj thirrje të gjitha shërbimeve të tjera sepse nga kjo procedurë, përveç patologjike tumorale të mushkërisë, përfitojnë shumë edhe patologji tumorale të veshkave, të mëlçisë, të barkut, çka do të thotë që është shumë e gjerë në përdorim dhe me përfitim shumë të gjerë./Gazeta Shqiptare/
