Nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) Slobodan Samarxhic, ka vlerësuar se Qeveria e Serbisë me ritëm të shpejtuar po ua dorëzon Kosovën shqiptarëve, në këmbim të marrjes së datës të negociatave për anëtarësim në BE.
“Para syve tanë, Qeveria e Serbisë po përpiqet të kontrabandojë disa vendime, duke prezantuar si vendime rutinë, e në fakt ajo shumë mirë dhe me vendosmëri po ia dorëzon Kosovën shqiptarëve. Krejt këtë po e bën për shkak të marrjes së datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, të cilat do të zgjasin me decenie, kështu që Qeveria po e falë Kosovën”, tha Samarxhic, citojnë mediat serbe.
Sipas tij, me fillimin e aplikimit të pagesave në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe Bërnjak, Kosova ia ka dalë të vendos kufirin me Serbinë, sipas parimeve për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe sipas parimeve të Qeverisë së Serbisë.
“Tash është e qartë se pse Qeveria e Serbisë nuk ia lejoi Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë këto ligje, sidomos këtë që ka të bëjë me vendkalimet administrative”, tha Samarxhic.
