Moti

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e XII të Këshillit të Përgjithshëm të saj, ku mes tjerash është folur edhe për zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovë. Ndërsa, lideri i kësaj partie, Albin Kurti, Listën Serbe e ka cilësuar një formacion i përbërë prej çetnikëve.

Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ka thënë se 2014-ta është vit shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe se vitin e ardhshëm duhet të ngjallet shpresa për zhvillim.

“Sfidat për Vetëvendosjes në vitin 2014 nuk do të jenë vetëm elektorale. Si dhuratë për vitin e ri duan të shesin PTK-në, ndërkaq në vitin e ardhshëm t’i vazhdojnë ulëset e rezervuara përtej planit të padrejtë të Ahtisaarit. Kurse, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ta sjellin në kuvend Listën Serbe, një formacion ky çetnik e i përbërë prej çetnikëve. Në Listën Serbe nuk janë thjesht serbë, ata janë çetnikë”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.

Kurti ka thënë se Vetëvendosje ka pasur të drejtë kur ka protestuar kundër mbajtjes se seancës për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë, kur janë vendosur pano me parulla në kuvend kundër amnistimint, siç është shprehur ai, të kriminelëve serbë.

“Deputetët dhe analistë e regjimit merreshin aq shumë atëbotë me ne, e tash ja ku i kemi çetnikët në pushtet në nëntë komuna të Kosovës. Kur ne thoshim se po sajohet Republika Serbe në Kosovë, na shanin e na fyenin e zgërdhiheshin; tash të gjithë po thonë se Republika Serbe është rrezik fort i mundshëme, por kjo është tepër pak, tepër vonë dhe aspak e sinqertë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë sërish thirrje të gjitha subjekteve politike dhe po ashtu deputetëve që t’u thonë jo ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, pasi që, sipas tij, në atë mënyrë do t’i thonin po demokracisë.

“U thoni jo çetnikëve të Listës Serbe se kështu i thoni po republikës dhe historisë sonë. I thoni jo Qeverise Thaçi, sepse kështu i thoni po popullit dhe ardhmërisë se fëmijëve tuaj”, ka thënë mes tjerash Kurti në mbledhjen e XII të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. /REL/
 
Top