Tregtarët serbë janë pajtuar me faktin që të paguajnë të gjitha tatimet në pikëkalimet kufitare në veri, për mallrat e tyre që importojnë në Kosovë. Mbi 200 kamionë me mallra nga Serbia kanë hyrë në Kosovë për vetëm dy ditë përmes pikëkalimeve në Jarinjë dhe Bërnjak, që kur edhe kanë filluar të mblidhen të hyrat doganore në këto dy pika në veri.
Dogana e Kosovës ka planifikuar që në këto dy pikëkalime të mbledh rreth 18 milionë euro në vit. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Tribuna se mallrat e hyra përmes pikëkalimeve në veri janë zhdoganuar kryesisht në terminalin e Mitrovicës.
“Numri total i kamionëve të cilët kanë hyrë përmes këtyre dy pikëkalimeve është mbi 200 dërgesa. Kryesisht kamionët të cilët hyjnë në këto dy pika janë të destinuar për në terminalin në Mitrovicë, kurse afër 35 dërgesa ishin të destinuar në pjesën veriore kryesisht me mallra si bukë, qumësht etj., por ka pasur edhe dy eksporte të kompanive kosovare”, ka thënë Stavileci./Tribuna