
Vijona një atlete e shkëlqyeshme sapo ka mbushur 16 vjet, por përkundër moshës ajo ka arritur rezultate të jashtëzakonshme jo vetëm në garat nacionale por edhe në ato internacionale.
Ajo arriti vendin e parë në disiplinën 400m në kampionatin mbarëkombëtar që u mbajt në Shqipëri. Në këtë disiplinë ajo theu edhe rekordin në Tivar të Malit të Zi. Vijona Kryeziu është njëra prej atletëve më premtuese të Atletikës kosovare.

Sukseset e Vijonës vazhduan edhe në kampionatin veror në Shqipëri ku edhe zgjedhet kampione e Shqipërisë në disiplinat 200 dhe 400 metra. Edhe pse atletët kosovarë, për momentin, nuk mund të jenë pjesëmarrës të kampionateve botërore, Vijona ka arritur t’i zë dy norma për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror, në 200 dhe 400 metra.
Normën e kampionatit botëror të Atletikës që për të marrë pjesë në kampionatin botëror për juniore të reja është 57.60 sekonda në 400m Vijona e kaloi për 57.48 sekonda që do thotë se arriti 0.12 sekonda kohë më të mirë se norma për kampionatin botëror që u mbajt në Donesk të Ukrainës.
Rezultatet e arritura nga Viona Kryeziu:
Në Kampionatin mbarëkombëtarë dimëror, e para në 400m.
Në Kampionatin Kombëtar të Tiranës prapë e para në 400 m,
Në mitingun ndërkombëtar të mbajtur në Tiranë : e para në 400 m,
Mitingu ndërkombëtar “ Yilmaz Sazak” në Stamboll e para në 100 metra, pastaj ka vendin e parë edhe në të gjitha mitingjet e tjera kombëtare. Kampione e Kosovës për Juniore dhe Seniore, në disiplinat e shpejta.
Ajo ka thyer 4 rekorde të Kosovës në 200m , 300m, 400m dhe 600m. Prandaj, kjo biografi e bujshme, bëri që ajo të grumbulloj gjithsej 4425 pikë, u zgjodh atletja më e mirë e Kosovës për vitin 2013. Edhe pse me moshë shumë e re, është pothuajse e vetmja që premton dhe ka potencial për pjesëmarrje në lojërat olimpike. Ne mbesim me shpresë që Kosova të arrijë të jetë pjesëmarrëse në LO, Rio de Zhaniero 2016.