Drama e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) do të vazhdojë të na përcjellë edhe gjatë vitit 2014. Kërcënimin se Qeveria e Kosovës do të përballet me pasoja ligjore, tregtare, ekonomike dhe financiare, kompania “Axos”, që ishte shpallur fituese në tenderin për privatizimin e 75 për qind të aksioneve, ishte përkujdesur që ta lëshojë në media pikërisht në natën më të gjatë të vitit, atë të ndërrimit të mot - moteve.
Por ky kërcënim nuk po i tremb fare zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Zëvendësministri në MZHE, Gani Koci, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të marrë asnjë gjobë për mosnënshkrimin e kontratës për shitjen e PTK-se.
“Në dokumentet e transaksionit ekziston një bazë që autoriteti kontraktues, në këtë rast qeveria ka të drejtë të ndërpresë procesin e privatizimit në cilëndo fazë”, ka sqaruar Koci. Ai madje ka bërë të ditur se ky proces ka filluar konform legjislacionit të Kosovës, duke u bazuar dhe në praktikat më të mira të privatizimit ndërkombëtar. I pyetur rreth kërcënimit të “Axos”-it, zv/ministri Koci ka thënë se në adresën e ministrisë nuk ka arritur zyrtarisht asnjë letër nga “Axos”.
Nga ana tjetër, Katja Derow, përfaqësuese e kompanisë “Axos Capital” në Hamburg të Gjermanisë, i ka deklaruar të hënën “Zërit”, se tani për tani nuk mund të japim ndonjë informacion shtesë. “ Tani në këtë kohë që jemi, ne nuk mund të japim ndonjë informacion më shumë se komunikata për shtyp e cila është botuar me 31 dhjetorit”, është përgjigjur Darow./Zëri
