Me datë 24.03.2009, nëpërmjet aktvendimit me numër E.nr.363/03, ish-gjyqtari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Sami Gërdovci, i cili po shqyrtonte një çështje pronësie, ka shpallur të vdekur njëren nga palët ndërgjygjëse, pa bërë më parë verifikime dhe pa disponuar prova dhe fakte për vdekjen e qytetarit Rrahim Bajrami nga Prishtina, i cili ishte në anën e paditësit.
Këtë vendim, ish-gjyqtari Sami Gërdoci, e ka marrë pasi avokati i palës së paditur, Meriman Vehapi, ka bërë kërkesën në procesverbal pranë Gjykatës përmbaruese në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që masa e përkohshme të abrogohet, meqenëse kanë pushuar të gjitha elementet pasi paditësi, Rrahim Bajrami, ka vdekur.
“Unë nuk e di se në çfarë faktesh u bazuan që më shpallën të vdekur. Vetëm di që u shpalla i vdekur. E kuptova kur më thirri avokati, i cili më tha së kishe ardhur një vendim, ku unë isha i vdekur. Më pas unë kam shkuar në polici me vendimin e Gjykatës. Policia e mori gjykatësin, Sami Gërdoci, por nuk e di çfarë ka thënë ai atje”, deklaron Rrahim Bajrami./KS
