Statistikat e nxjerra nga ky hulumtim tregojnë se të rinjtë kosovarë janë të pajisur mire me teknologji, edhe pse komunikimi mbetet qëllimi kryesor i përdorimit të saj. Pothuajse të gjithë (99 për qind) kanë një televizor në shtëpitë e tyre, ndërsa rreth 73 për qind deklarojnë se shikojnë televizion çdo ditë.
Organizata jo-qeveritare LENS, ka prezantuar në Prishtinë rezultatet e hulumtimit “Të rinjtë dhe mediat”, hulumtim i zhvilluar vitin e kaluar në të gjitha shtetet e Evropës Juglindore.
Subjekt i hulumtimit, kryesisht i bërë nëpërmjet internetit, ishin organizatat dhe institucionet që merren me rini dhe media.
“Të rinjtë dhe mediat” është iniciuar nga organizatat Metamorphosis dhe YIEF nga Shkupi, dhe është financuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Maqedoni, me pjesëmarrje të organizatave nga: Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Greqia, Bullgaria dhe Turqia.
Përqendrimi i hulumtimit ishte tek qasja dhe përdorimi i mediave nga të rinjtë, rëndësia që kanë mediat për ta, si dhe krijimi i përmbajtjeve mediale nga të rinjtë.
Statistikat e nxjerra nga ky hulumtim tregojnë se të rinjtë kosovarë janë të pajisur mire me teknologji, edhe pse komunikimi mbetet qëllimi kryesor i përdorimit të saj. Pothuajse të gjithë (99 për qind) kanë një televizor në shtëpitë e tyre, ndërsa rreth 73 për qind deklarojnë se shikojnë televizion çdo ditë.
Nga tërë rajoni, telefonat mobil të mençur janë më së shumti të pranishëm tek të rinjtë kosovarë (rreth 80 për qind), ndërsa shumica prej tyre (rreth 75 për qind) e përdorin telefonin mobil për tu kyçur në internet çdo ditë.
Rezultatet tregojnë se të rinjtë në përgjithësi u besojnë pak mediave; më shumë se gjysma e të rinjve mendojnë se informacionet e paraqitura në medie janë të pavërteta.
Hulumtimi ka nxjerrë në pah faktin se është vërejtur një interesim i lartë për lajmet, ku një pjesë e konsiderueshme kanë deklaruar se i lexojnë lajmet online çdo ditë