Moti

Shkruan: Faton Krasniqi

Duke parë se viteve të fundit kanë filluar që shumë bizneseve anembanë Kosovës po i emërtojnë në gjuhë të huaja, isha kureshtar të di se pse po i emërtojnë bizneset lokalet afariste në gjuhë të huaja.  Më interesonte se sa është numri (përafërsisht) i lokaleve afariste të emërtuara në gjuhë të huaja.

Gjithashtu  më interesonte se në cilat qytete-rajone kishte më shumë emërtime të lokaleve afariste në gjuhë të huaja. Nga kjo pashë që numri i bizneseve-lokaleve afariste i emërtuar në gjuhë të huaja është tepër i madh, kjo është shqetësuese për gjuhën dhe kulturën tonë.

 Gjuha shqipe është gjuhë inferiore përballë gjuhëve superiore si: anglishtja, gjermanishtja, italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, portugalishtja, turqishtja etj.

 Normalisht që shqipja do të huazojë fjalë të ndryshme nga këto gjuhë të ndryshme, nga fusha të ndryshme si nga: informatika, arkitektura, inxhinieria, mjekësia, astronomia, bujqësia, etj.

 Por, nëse gjuha shqipe ka fjalët e veta dhe adekuate atëherë nuk do të duhej që t`i emërtonim me fjalë të gjuhëve të huaja bizneset- lokalet tona afariste, ne duhet ta duam gjuhën, ta ruajmë me xhelozi dhe fanatizëm gjuhën tonë nga gjuhët e huaja.

Gjuhët janë të hapura ndaj njëra-tjetrës, ato marrin dhe i japin fjalë njëra-tjetrës, gjuha shqipe duhet të ketë kujdes nga ky shtim i fjalëve të huaja në fjalorin-leksikun e saj, emërtimi, mbishkrimi i bizneseve- lokaleve afariste në gjuhë te huaja nga vetë ne nuk është shenjë e mirë për vetë gjuhën dhe kombin tonë, nuk duhet injoruar gjuhën tonë, emërtimet duhet të bëhen në masë të madhe në gjuhën shqipe dhe fare pak në gjuhë të huaja.

 Nëse anglezët, gjermanët, italianët, francezët, spanjollët, turqit i emërtojnë lokalet e tyre afariste-biznesore në gjuhën e tyre, atëherë edhe ne duhet t`ia bëjmë ashtu, duhet t`i emërtojmë më shumë dashuri në gjuhën shqipe.

Këto emërtime në gjuhë të huaja të bizneseve lokaleve afariste e shoh si rrezik gjuhësor dhe kulturor për gjuhën dhe kulturën tonë. Këta gjëra janë si breva që gërryen trupin e njeriut me shpejtësi, duhet t`i themi ndal emërtimit të lokaleve afariste në gjuhë të huaja, duhet të tregojmë ndjenja patriotike në këtë fushë, të ndjehemi krenarë më këtë gjuhë pasardhëse e pellazgo-ilirishtes.

Po s`e ruajtëm ne gjuhën dhe kulturën tonë askush nuk na ruan atë. Emërtimi i lokaleve afariste në gjuhë të huaja bëhet nga shkaqe të ndryshme, disa i emërtojnë lokalet e tyre që të duken më bashkëkohorë, më “tërheqës” për masën.

Nëse vazhdohet kështu me këtë ritëm të emërtimeve të bizneseve- lokaleve afariste në Republikën e Kosovës, shumë shpejt Prishtina për nga emërtimet-mbishkrimet në lokalet afariste të saj nuk do të dalloj nga Londra, nuk do të dihet se a jemi në Londër apo në Prishtinë, nuk do ta dimë se a jemi në Prizren apo në Stamboll, nuk do ta dimë se a jemi në Pejë a në Romë, nuk do ta dimë a jemi në Gjilan a në Bon! Asnjë popull në Botë nuk e dëshiron gjuhën e huaj më shumë se sa të tijën, edhe ne duhet ta duam më shumë gjuhën tonë.

Për të pasqyruar më mirë emërtimet e lokaleve afariste në gjuhë të huaja po marr disa shembuj nga disa gjuhë psh. emërtime në gjuhën angleze në qytetin Prishtinës:  internet kafe “Online”, kafe “Blu Sky”, bastore sportive “Hatrick”, hotel “Victory”, kafe “Old Town”, pastaj emërtime të lokaleve afariste në gjuhën gjermane: kafe “Flagge”, shitore pemësh “Fruchte”, kioskë “Rosa”, shitore ushqimore “Grun”.

Në gjuhën italiane: kafe “Amico”, pastiçeri “La Signorina”, autoshkolla “Academica”, bastore sportive “Bianco Neri”. Emërtime të lokaleve në gjuhën turke: çajtore “Merhaba”, shitore ushqimore “Kasimpasa”, kafe “Karadeniz”, ëmbëltore “Dunyasi”, furrë buke “Arslan”. Emërtime të lokaleve afariste në gjuhën latine: shitore veshmbathjesh “Tempore”, kafe “Ceasar”, kafe “Magnu Manu”, shitore ushqimore “Bonos”. Emërtime të lokaleve afariste në gjuhën frënge: kafe “Prestige”, kafe “Image”, shitore ngjyrash-llaqesh “Colore”, motel “Miroris”, kafe “Bonoparta”. Emërtime të lokaleve në gjuhën greke: agjencion turistik “Rhodos”, kafe “Pantheron”, shitore ushqimore “Kalimera”, kafe “Syntagma”. Emërtime të lokaleve afariste në gjuhën spanjolle: pishina “Mallorca”, kafe “Un Amor”, kafe “Desperado”, ëmbëltore “Pasos”, shitore ushqimore “Futuro”, kafe “Suerte”.

Emërtime në gjuhën japoneze janë kryesisht disa gomisteri, lokale ku rregullojnë telefona mobil, lokale rregulluesish, riparuesish automjetesh, të motorëve  dhe motoçikletave, si: automekanik “Mitsubishi”, gomisteri “Honda”,  shitore pajisjesh motorike”Yamah”, rregullues i telefonave mobil “Samsung”, “Nokia”, automekanik”Suzuki”.

Emërtime të lokaleve në gjuhën portugeze: bastore sportive “Rio Ave”, shitore ushqimore “Vida”, motel “Meninas”, autolarje “Porto”. Sa më pak emërtime në gjuhë të huaja, aq më mirë për gjuhën tonë, gjuha jonë është më e mira, ta ruajmë, ta duam, ta vlerësojmë, ta nderojmë duke emërtuar në gjuhën tonë. Përveç kësaj edhe emërtimet e disa lokaleve biznesore-afariste në gjuhën shqipe janë me gabime drejtshkrimore si: mobilieria “Qlirimi”, floktare “Çëndresa”, mobilieria “Gjevati”, saldues “Gjagji”.

 
Top