Ish presidenti Ibrahim Rugova nuk e deklaroi asnjëherë besimin e tij fetarë, por këtë e tregonte orientimi i tij. Ai i çmonte figurat e katolicizmit dhe këtë nuk ngurronte ta bënte hapur. Ky orientim nuk është i rastësishëm. Se për çfarë bëhet fjalë, na tregon djali i xhaxhait të presidentit, anëtari i LDK-së, Naser Rugova.
Ish presidenti Rugova, pak kohë para se të vdiste, vendosi gurthemelin e Katedrales e cila sot ndodhet në qendër të Prishtinës.
Rugova kishte miqësi edhe me Papa Gjon Palin e II-të. Ai nuk fliste për përkatësinë e tij fetare, por asnjëherë nuk është mohuar se ish presidenti Rugova, është pagëzuar si katolik.
E për orientimin fetar të presidentit historik, indirekt na flet djali i xhaxhait të tij, anëtari i LDK-së, Naser Rugova.
Ai këtë e bënë në prag të një dite të veçantë, atë të vizitës në Tiranë të Papa Françeskut.
Naser Rugova ka postuar në profilin e tij në Facebook, një fotografi të ish presidentit, dhe një tekst të shkurtër ku shpjegon trungun gjenealogjik të Familjes Rugova nga Cerrca e Istogut, e që me rrënjë thotë se janë nga fshati Malaj i Rugovës.
“Duke filluar nga brezi i fëmijëve të brezit tim ka këtë cikël brezash: Djali im Erioni, unë Naser Alia, Ali Rrusti, Rrustë Sadria, Sadri Elezi, Elez Dema, Demë Neziri, Nezir Ibra, Ibër Gjoka, Gjokë Ivani, Ivan Kola, Kolë Mali, Mal Nika, Nikë Deda”, ka shkruar ai.
Nga sa shihet te këta emra, del se te brezi i gjashtë apo shtatë, familja Rugova, pjesë e së cilës ishte edhe presidenti historik, i përket klerit katolik. /lajmi.net/