Nga Gani Sadiku për Rajonipres
Se si do të rrjedhin gjërat në skenën politike kosovare pas vendimit të Gjykatës kushtetuese, akoma askush nuk mund të thotë me saktësi, madje as analistët më të njohur politik nuk kanë guximin të japin ndonjë variant e cila do të ishte e përafërt me mundësinë e rrjedhjes së gjërave.!! Prej pas luftës e këndej populli i Kosovë është lodhur duke shpresuar në një qeveri "ideale" e cila do të dilte nga "krahu i luftës" pas përfundimit të sajë.
Por ndodhi si ndodhi dhe pas 7 vite qeverisje të krahut të luftës bashkë me SHIK-un e instaluar ( ky si i nevojshëm për eliminimin e kundërshtarëve politik ) jo vetëm që e zhgënjeu qytetarin e Kosovës, por e varfëroi deri në skajshmëri, duke e mbushur Kosovën me- "izma" , për interesa meskine, duke e degjeneruar qelizën e shoqërisë ( familjen ) dhe duke i shkatërruar katër shtyllat kryesore të shoqërisë, që janë; arsimi, shëndetësia drejtësia dhe besimi fetar.,!
Besoj që popullata e Kosovës është ngopur me këtë qeverisje e cila jo vetëm që ska bërë asgjë në stimulimin e zhvillimit ekonomik, por përkundrazi, me korrupsion haraç, me privatizime të egra, dhe dukuri tjera negative (që nuk i ka pengue të lulëzojnë) në vend , janë pasuruar zyrtarët qeveritar ndërsa ka shkuar drejt falimentimit të shtetit, apo penalizim të zhvillimit ekonomik.
Pas krejt këtyre marifeteve duhet të kuptojmë se na duhet një qeveri e cila do të dijë ti administroj pakënaqësitë e qytetarëve, me një qeverisje të ekuilibruar. Një njeri që udhëheqë jo me dorë të hekurt, por me mençuri, sepse në Kosovë janë grumbulluar pakënaqësi të mëdha gjatë kësaj qeverisje të keqe.
Vendimmarrjet e politikës në të ardhmen dhe strategjia e zhvillimit ekonomik duhet të kenë një paralelizëm harmonik, sepse nëse nuk ka ritëm të zhvillimit ekonomik paralel me zhvillimet shoqërore atëherë ndodh që ekonomia ta diktoj rrugën e politikës, duke shkaktuar anomali në skenën politike e më pas nxjerrje në shesh të mafias që e kap shtetin duke ndikuar në çdo segment të jetës së qytetarit.
Periudha sa jemi në një vakum institucional dhe vet forma e funksionimit të shtetit gjatë kësaj kohe, na bënë të kuptojmë se populli din të organizoj jetën e tij edhe në mungesë të një qeverie të pa përgjegjshme, dhe shpeshherë më bien ndër mend një thënie e vjetër që thotë populli; "pylli më mirë rahat pa roje, se sa me roje të keqe".
Pengesë kryesore në skenën politike gjithnjë ka qenë shkëputja e dakordësisë politike nga një mandat në tjetrin e që pamundëson zhvillimin jo vetëm ekonomik, por edhe shoqëror në përgjithësi.
Elitat politike me mendësi të vjetër në njërën anë, dhe ideologjinë staliniste të sundimit në anën tjetër, nuk mund kush t`i bëjë bashkë e t`i shndërroj në një vektor konvergjent. Interesat e tyre politike kanë vetëm një brengë, fitimin e mandatit të ardhshëm.
Duke e ditur se ekonominë e një vendi e përbëjnë tre faktorë; Investimi, tregu dhe resurset humane, na del se nga kjo qeveri për shtat vite rresht janë shkatërruar këta tre faktorë, dhe në vazhdimësi është rënë ekonomia e vendit, që për pasojë ka pasur rritjen e ekonomisë informale, dekurajimin e tregut për produkte vendore si dhe shkatërrimin e resurseve humane që ka sjellë vështirësi te kompanitë për të gjetur kuadro të afta, dhe në fund detyrohen t`i marrin nga vendet e tjera me një çmim shumë të lartë.
Populli i Kosovës këtë qeveri duhet ta mbaj mend për degradimin e sistemit arsimor deri në analfabetizëm, që në të ardhmen do ta riprodhojnë vetveten në vend se të dalin gjenerata të aftësuara karshi zhvillimit të teknologjisë.
Rritja e pagave për mësimdhënës nuk bëhet aspak në baza meritore ose në bazë të rentabilitetit të tyre, por bëhet në baza politike për përfitime elektorale.
Nëse rriten rrogat, atëherë ndikimi në buxhetin e shtetit është shumë më i madh se sa rritja në mirëqenien e mësimdhënësit.
Koha e punës të cilën e bëjnë mësimdhënësit në Kosovë është shumë e shkurtë, e si e tillë nuk mund të jetë aspak produktive dhe aspak frutdhënëse ( llogarit shumë mësimdhënës të cilët kanë edhe një punë të dytë e së cilës ndodhë t`i përkushtohen shumë më tepër). Një mësimdhënës duhet që në ditën e punës të bëjë plot 8 orë punë efektive me nxënës, duke ditur se në klasë ka të atillë të cilët nuk mund ta nxënë mësimin si të tjerët. Duhet të provohet metoda të ndryshme pune, andaj kemi forma të ndryshme të mësimit siç është;
• Forma e punës me tërë klasën
• Formën individuale të organizimit të mësimit
• Në çifte, si dhe në
• Grupe
kohëve të fundit në sistemin e arsimit në vendet e zhvilluara, më së tepërmi zbatohet forma individuale e organizimit të punës mësimore.
Në këtë formë, mësimdhënësi punon drejtpërsëdrejti me një nxënës, pas orarit të mësimit, sidomos kur ky ka nevojë për ndihmë për të nxënë njohuri, zhvilluar shkathtësi e formuar shprehi të caktuara, të cilat do t`i duhen gjatë tërë jetës.
Në bazë të një analize të thjesht, të kohës së punës për mësimdhënësin, duke llogaritur, pushimin vjetor, dimëror, vikendet, festat e ndryshme, (në shumë raste edhe orar jo të plotë), na del se brenda një viti kalendarik, mësimdhënësi në Kosovë i bënë vetëm 56 ditë punë efektive. kjo dinamikë e punës e penalizon zhvillimin e arsimit dhe duke qenë i tillë nuk është aspak inovativ dhe kreativ.
A po prodhon edukim sistemi ynë arsimor apo analfabet me diploma ?
Liberalizimi i arsimit ka ecur krahas zhvillimeve shoqërore, por mungesa e kontrollit të shtetit, dhe politizimi deri në skajshmëri i sistemit arsimor, ka bërë futjen e konkurrencës pa vendosur rregulla të barabarta, si për arsimin privat ashtu edhe publik.
Nëse sektori i arsimit nuk menaxhohet mirë nga shteti atëherë liberalizimi i sistemit arsimor s'do të ketë fare kuptim dhe si i tillë as që është dashtë të ndodhë.
Tek ne është bërë zgjerimi i sektorit publik i cili pos që nxjerr kuadro mjaft të dobët, dhe të pa përgatitur profesionalisht, atrofizon sektorin privat.
Lirimi i semestrit në sektorin publik rrit numrin e studentëve në këtë sektor, dhe nuk është gjë tjetër veçse rritje e pabarazisë në mes studentëve të varfër dhe të pasur, sepse kot e zbret semestrin nëse studentëve të varfër nuk u lehtëson qëndrimin aty ku studiojnë.
Kjo qeveri ka krijuar një hendek të madh në mes të biznesit dhe shtetit, në vend se të krijonte një atmosferë bashkëpunimi ku njëri monitoron e tjetri paguan. Ka krijuar një atmosferë ankthi e frike, por edhe korrupsionin e ka institucionalizuar si dukuri.
Te qytetari është krijuar bindja se nuk mund të kryesh punë në administratë, nëse nuk arrin ta korruptosh diken, dhe dihet se luftimi i korrupsionit të ofruar është shumë më i vështirë se sa i korrupsionit të kërkuar.
Një thënie popullore thotë “trajtoje një individ ashtu siç duhet të jetë e jo ashtu siç është, sepse do të filloj të bëhet gjithnjë e më tepër ashtu siç e trajton”. .
Problem mjaft i madh është edhe sektori i shëndetësisë.
Ky sektor vuan më tepër nga mungesa e etikës e deri te korrupsioni galopant.
Në të gjithë sektorët, funksioni i shtetit duhet të jetë garantues në krijimin dhe mbajtjen e standardeve që është një problem jetik. Si pasojë e një qeverisje të keqe së fundmi janë paraqitur edhe extremizma fetar, që me këtë fenomen Kosova vazhdon të jetë riciklim i imazheve të këqija, të cilat vazhdojnë të mos thonë asgjë të mirë në arenën ndërkombëtare./rajonipress/