Moti


Shkruar nga: Mr. Sc. Faton Krasniqi



Ç`është kuvendi? Ç`është kuvendari? Kuvendi është: mbledhje ku marrin pjesë burrat, gratë për të shqyrtuar e për të zgjidhur çështje të rëndësishme të qytetit, të fshatit tyre, të vendit të tyre; të gjithë ata që merrnin pjesë në mbledhje. Kuvendi është vendi, objekti ku vendosin dhe marrin vendime të rëndësishme për fshatin, qytetin, krahinën, vendin.

Kuvendi është mbledhje e gjerë e ku rrihen e shkëmbehen lirisht mendimet për probleme të rëndësishme politike e shoqërore; ndërtesa ku mblidhet e zhvillon veprimtarinë e vet ky organ. Kuvendi është vendi ku kuvendohet me gjuhën e arsyes, vendi nga ku dalin vendime të rëndësishme nga njerëz të rëndësishëm.

Kuvendoj-flas, tregoj, bisedoj. Ç`është kuvendari? Që është i gojës, që di ta mbajë bisedën të gjallë, bisedar; që di të kuvendojë. Burrë (plak, djalë, grua, vajzë) kuvendar, që di të flasë-gojëtar, i ditur, mendjendritur, mendjehollë, largpamës, i urtë, i sinqertë, i arsyeshëm.
A kemi ne sot kuvend dhe kuvendarë?

Ne sot kemi kuvendarë “shurdhmemecë” që për katër vite në kuvend nuk e thotë qoftë edhe një fjalë, kemi kuvendarë që për katër vite nuk e shkruajnë asnjë fjalë asnjë fjali, madje kuvendarët e sotëm në të gjitha Kuvendet Komunale të Republikës së Kosovës nuk mbajnë me vete as laps- as fletore, disa nga ta bile-bile as rendin e ditës nuk e lexojnë e aq më pak materialin e mbledhjes.

A është e tepërt që për katër vite kuvendari nuk fletë, nuk sugjeron, nuk këshillon asgjë?! Për katër vite duke përlloçur tepihun e kuvendit, duke dëmtuar karriget e kuvendit, duke shkarravitur tavolinat e kuvendit.

 Kuvendari duhet të kuvendoj, jo të kotet, të gjumoset, të moliset, të humbet në kohë. Është kot, nuk është e mirë që në katër vite ta ngrisesh dorën për të venduar, vendimet që sillen në kuvend, pa e ditur se për çka është ky vendim, për kë është ky vendim, kush përfiton nga ky vendim?! Ngritja e dorës për të venduar në kuvend nga kuvendari është e shenjtë, duhet ditur kur duhet ngritur dorën e kur jo, nuk duhet t`i bëjnë qejfe askujt.

 Me arsye, me mendje të shëndosh duhet menduar dhe venduar-ne presim vendime të rëndësishme nga ju, dhe jo kuturu. Shpeshherë kuvendarët e Kuvendeve Komunale në Republikën e Kosovës luajnë rolin e “shurdhmemecëve” “a pe - s`pashë, a dëgjove - s`dëgjova”?! Jam i bindur që sikur të ishin shurdhmemecët (ata që realisht nuk mund të flasin dhe dëgjojnë) do të ishin më të arsyeshëm, më serioz, më realist, gjithçka nuk do të vendonin, bile-bile ata janë më të sinqertë, do të mundoheshin me mish e shpirt që të punojnë për vendin, nëse nuk mund të flasin dhe dëgjojnë, ata së paku do të shkruanin, do të këshillonin, sugjeronin për punë të mbara.

Në Kuvendet Komunale në Republikën e Kosovës ka nga 28 deri 32 kuvendarë-këshilltarë, varësisht nga madhësia e qyteteve, nga numri i banoreve, por, nga ata 28 këshilltarë standard në, 12-16 mbledhje të Kuvendeve Komunale që janë mbahen brenda një viti, zakonisht flasin gjatë një vitit 5-6 këshilltarë, flasin ata që dinë të flasin, që kanë për çka të flasin, ata që e ndjejnë obligim qytetarë.

Pjesa tjetër shkojnë sa për t`u nënshkruar në listën e pjesëmarrësve në mbledhje kuvendi, sa për ta marrë mëditjen e pjesëmarrjes, gjatë asaj kohë sa dikush nga kuvendarët fletë, diskuton, sugjeron, pjesa e heshtur luajnë lojëra të ndryshme me telefonat e teknologjisë së fundit, si me Iphone, Samsung Galaxy, Ipad, një pjesë tjetër e kuvendarëve kruajnë hundët të bëra rreshkë nga nxehtësia afrikane që ka kapluar vendin tonë, pjesa tjetër mezi pretë që të përfundojë mbledhja e të ikin ndër ndonjë hije ahu apo çajtore qyteti.

Kuvendarët janë përfaqësues të qytetarëve, ata na përfaqësojnë neve, ata, aty as nuk kanë të: kositin, të prashisin, të lëvrojnë, të ujisin e të presin dru; detyra e tyre është flasin për fshatin, lagjen, qytetin, vendin; për problemet sociale, ekonomike, arsimore, urbanistike, kulturore, rinore, sportive etj.

Gjithashtu arsimimi i tyre lënë për të dëshiruar shumica janë: mallterxhinj, bojaxhinj, zdrukthëtarë, tarrnakopistë etj., nuk duhet nënvlerësuar këto profesione për që këta profesionistë të këtyre fushave nuk e kanë vendin aty; pak punë mund të bëjnë, pak të mira mund të na sjellin. Heshtja e tyre, serviliteti i tyre, mosdija e tyre po na kushton si fshat, si lagje si qytet, si vend.

Flisni ju nuk jeni shurdhmemecë, debatoni, jepni ide, këshilloni, kërkoni angazhim më shumë nga ata që duhet t`i kryejnë obligimet qytetare, nuk na duheni të heshtur.

Lërini ato seminaret famoze për “Vetëqeverisje Lokale”, kemi 14 vite që kemi filluar themelimin e institucioneve tona shtetërore, nëse nuk keni mësuar për 14 vite diçka për themelet e shtetit, organizmin e tij, punën e tij, kot e ke të mësosh në ato seminare kote.

Për 4 vite nga gjithsej 48-55 mbledhje kuvendi nuk fletë qoftë edhe një herë të vetme, është mëkat të qëndrosh në atë karrige në atë kuvend. Nëse, tërë jetën ke veshur kat të zi të teshave me çorapë të bardha, askush nuk do të mund ta largojë këtë stil veshmbathjesh.

Ndër të tjera çorapet e bardha janë mbathje sportistësh, jo kuvendarësh e politikanësh. . Kuvendar lexo për stilin, protokollin zyrtar (Bon Tonin) të veshjeve të një kuvendari-pushtetari, je person publik kujdes si vishesh, dhe me çfarë vishesh e mbathësh.

 Por mbi të gjitha kuvendar fol; heshtja jote është ngecja dhe dështimi ynë, mos u bë marionetë e askujt. Shteti nuk ju paguan për të heshtur. Kemi nevojë për ndërtimin e shumë: çerdheve, shkollave, spitaleve, rrugëve, ujësjellësve, urave, kanalizimeve, stadiumeve, qendrave sociale, qendrave rinore. Kuvendar fol e shkruaj, mos rri!
 
Top