Lëvizja Vetëvendosje thotë se policia e Kosovës po i përndjek aktivistët e saj, për protestat kundër privatizimit të KEDS-it, të cilat i kishte organizuar kjo lëvizje në sheshin kryesor të Prishtinës në tetor të vitit 2012.
VV njofton se është arrestuar aktivistja nga Kamenica , Brikenë Ramabaja, të cilën sipas vetëvendosjes policia më herët e ka kërkuar me dhjetëra herë në shtëpinë e saj dhe në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Dardanë.
“Brikenë Ramabaja po akuzohet, sikur shumë aktivistë të tjerë, të cilëve ju kanë ardhur thirrjet nga Policia, për pjesëmarrjen e saj në Protestën kundër privatizimi të KEDS-it të cilën e kishte organizuar Lëvizja Vetëvendosje në sheshin kryesor të Prishtinës në tetor të vitit 2012 dhe ku vetë Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi kishte urdhëruar ndërhyrjen e cila rezultoi në dhunë nga ana e komandantëve të Policisë së Kosovës ndaj deputetëve dhe aktivistëve protestues”, thuhet në një njoftim të kësaj Lëvizje.
Lëvizja Vetëvendosje i quan të qëllimshme këto aksione të Policisë së Kosovës, por në anën tjetër po kërkon që në të njëjtën kohë të hetohen edhe policët e Kosovës që sipas tyre kanë ushtruar dhunë në këtë protestë.
“Gjatë asaj proteste pati shumë lëndime e ndërhyrje brutale nga Policia e Kosovës, nga truprojat e ministrave, por ende askush as nuk u gjykua apo u thirr në përgjegjësi. Po ashtu, protesta e atëhershme kundër privatizimit të KEDS-it veç sa është legjitimuar edhe më tepër këtë vit, duke pasur parasysh, përveç tjerash, edhe shtrenjtimin e dyfishtë të rrymës brenda një viti dhe mungesën e furnizimit me energji elektrike kudo nëpër Kosovë”, thuhet në këtë njoftim.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistes Brikenë Ramabaja dhe i bën thirrje pushtetit në ikje që t’i ndërpresë arrestimet politike të aktivistëve tanë.