Entela Sahiti për "kultplus"
Derisa ne e shohim dhe e veshim, dhe mundohemi t`ia bëjmë hyzmetin si duhet, ai është duke e analizuar atë. Kosovari Gazmend Demolli kështu është një prej figurave që po analizon trendet e modës dhe garderobës në kompaninë me renome botërore “Ralph Lauren”. Ai aktualisht gjendet në Francë në pozitën e analistit të modës.
Që në moshë të re, Gazmendi ishte qenë aktiv në mbledhjen e rrobave të vjetra, gjithmonë duke kërkuar më të mirën për tu veshur, në kombinimin mes klasikes dhe modernes.
“Kur isha i ri, shumë më i ri, garderobën time e gjeja nëpër tavane e arkiva familjare apo miqësore ndërsa sot nuk kam nevojë për arkiva , por nuk mund të them se diçka ka ndryshuar në qasje. Ky ndryshim ndoshta qëndron në faktin se sot jam krijues i arkivave kurse atëherë isha shfrytëzues” thotë Demolli në një rrëfim për KultPlus.
Ai tregon që edhe pse ndoshta nga kushtet materiale nuk ka pasë mundësi ta përcjellë modën, gjithmonë ka qenë djali që duhet të ketë stil.
“Jo aq moda, por stili ka qenë gjithmonë i pranishëm në përditshmërinë time, edhe atëherë kur nuk kam pasur para për të përcjellë trendet”, pohon ai.
Punën si analist të trendeve të modës e ushtron gati që 8 vite, por kjo nuk është puna e tij e parë. Ai ka kaluar në shumë profesione, dhe njëri që e ka lidhur më së shumti me modën është fotografia.
“Jeta më ka shtyrë të merrem me gjëra të ndryshme, por secila nga përvojat më ka forcuar e nuancuar si person. Edhe sot merrem me fotografi, jam fotograf në çdo manifestim që bëhet këtu. Pra mund të them se fotografia si art është shumë e ndërlidhur me modën” shton Demolli.
Kjo punë të cilën e ushtron është më e vështirë se sa duket. Për të krahasuar trendin duhet të merren të gjitha shifrat e sakta që bëhen për shitjen e një produkti në Evropë, dhe pastaj nga të gjithë ata miliona persona që kanë blerë diçka duhet të gjendet se cilat janë tiparet e përbashkëta, duhet krahasuar me periudha të caktuara vitin e kaluar, duke e lidhur me asortimentin e propozuar, dhe një sintezë e rezultateve pastaj analizohet sipas kualitatit për ta gjetur trendin.
“Për të arritur në konkluzione të kapshme duhet të analizohen tiparet e artikujve, shembull për këmisha: me vija, me katror, ose për xhemperë të leshtë, të pambuktë, të mëndafshtë, pastaj shikohet se si shiten këto grupe në krahasim me javët e kaluara, ose me vitin e kaluar. Kjo analizë pastaj hyn në punë te ekipet tjera e mbërrin e distiluar te dizajni i sezoneve të ardhshme” vazhdon rrëfimin Demolli.
Ndërsa kur flitet për dallimet e modës mes Kosovës dhe shteteve tjera të Evropës, sipas Demollit ka ndryshime të mëdha.
“Mendoj se në Kosovë shihet një ndikim tej mase i modës së shpejtë kineze dhe turke, gjë që nuk e sheh fort në Evropën Perëndimore. Kjo nuk do të thotë se kosovarët shpenzojnë më pak, përkundrazi, por megjithatë mendoj se ndikimi i kësaj kulture është një aspekt dallues”, tregon Demolli.
Por, Gazmend Demolli nuk heziton të ofrojë edhe një këshillë për të gjithë ata që dëshirojnë të duken bukur. Ai thotë që e bukura për inspirim janë vitet e 60-ta.
"Moda ripërtërihet, riciklohet, por gjithsesi duhet shikohet në drejtim të kualitetit. Nëse doni diçka të hijshme në modë evitoni materialet plastike, dhe kujdesuni të bleni gjithmonë rroba nga materialet organike pambuk, lesh, mëndafsh. Këto vjetrojnë bukur dhe nuk dalin nga moda asnjëherë. Nëse doni një inspirim më preciz atëherë ndiqeni modën e viteve të 60ta”, ka përfunduar ai. /KultPlus.com