Nënkryetari i Komunës së Kamenicës Fatmir Matoshi, ka takuar sot në një takim të përbashkët një delegacion të lartë të KFOR-it, të kryesuar nga Koloneli Faruk Demircioglu, komandant i Detaçmentit Jug dhe në përbërje edhe me kolonelin slloven Bojan Vogrinc, udhëheqës i komisionit për implementimin e marrëveshjes së kufirit, dhe kapiteni amerikan Low, udhëheqës i njësive për ndërlidhje dhe monitorim (LMT) si dhe përfaqësuesit e policisë së Kosovës Kapiten Nazif Hjarizi, komandant i stacionit policor dhe Besim Kryeziu, përgjegjës për vijën e gjelbër në Kamenicë dhe Ranillug.
Koloneli Faruk Demircioglu, tha se është i lumtur që për herë të dytë ndodhet në Kamenicë dhe ka përshtypje të mira nga takimi me Kryetarin Begzad Sinani edhe gjatë vizitës në kampin e KFOR-it Turk. Ai interesua dhe u informua rreth aktiviteteve të fundit në komunë dhe në veçanti rreth situatës rreth kufirit në Karaqevë.
Nënkryetari Matoshi ka ritheksuar shqetësimet që ka komuna rreth sigurisë së banorëve të Karaqevës.” Ne jemi të sigurt se në Karaqevë një pjesë e territorit në të cilin nuk patrullon policia e Kosovës është territor i shtetit të Kosovës dhe aty padrejtësisht shpeshherë del xhandarmëria serbe dhe ky është shqetësim për banorët, kjo zonë shihet edhe si një mundësi e mirë për kontrabanduesit dhe ditëve të fundit edhe për kalimet ilegale të kufirit kur po ballafaqohemi me një eksod më të madh të qytetarëve që përmes Serbisë po shkojnë drejt vendeve të BE-së” tha nënkryetari Matoshi.
Koloneli Faruk Demircioglu tha se KFOR-i i ka adresuar shkresë zyrtare xhandarmërisë serbe në fund të muajit shtator dhe se deri më tani nuk ka marrë përgjigje prej tyre, pavarësisht faktit se kohë pas kohe u është rikujtuar kjo çështje.
“Me datën 23 dhjetor 2014 ne kemi takimin e radhës me autoritetet serbe dhe do të kërkojmë një qëndrim të tyre rreth problemit të Karaqevës, dhe t`ua rikujtojmë se ende nuk kemi marrë përgjigje në letrën tonë” tha koloneli Bojan Vogrinc.
Koloneli slloven Bojan Vogrinc, tha se pajtohet që kjo pjesë sipas hartave kadastrale i takon Kosovës, por theksoi se hartat me të cilat punon KFOR-i janë punuar në vitin 2002 në bazë të marrëveshjes së Kumanovës.
Shqetësimet rreth pamundësisë së për të patrulluar këtë pjesë i shfaqën edhe zyrtarët e policisë së Kosovës të cilët thanë se në këtë pjesë nuk mund të hyjnë as për të zbatuar urdhëresa të gjykatave dhe as për tu përgjigjur qytetarëve në raste aksidentesh dhe gjëra të tjera.
Në takim u prezantuan hartat sipas zonave kadastrale dhe sipas marrëveshjes së Kumanovës.
Koloneli Faruk Demircioglu e nderoi nënkryetarin Matoshi me një mirënjohje për punën dhe angazhimin e tij.