(Telegrafi)
Përfaqësuesit e Prishtinës kanë ardhur për të mos u pajtuar absolutisht për asnjë temë, ka thënë sot shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Gjuriq më tutje ka thënë se bisedimet janë shumë të vështira, atmosfera është e tensionuar dhe se ka pasur fjalë të rënda dhe provokime.
“Ajo për çfarë po bisedohet me seriozitet është Asociacioni i komunave serbe, ndërsa pala tjetër flet vetëm për statusin e Kosovës”, ka theksuar Gjuriq për televizionin publik të Serbisë nga Brukseli.
“Për ne është e qartë se përfaqësuesit e Prishtinës kanë ardhur që të mos pajtohen për asnjë gjë dhe për disa orë po luhet loja e fajtorit, që t’i ikin përgjegjësisë. Nuk janë të gatshëm të bisedojnë për asgjë seriozisht”, shtoi ai.
“Në një moment, delegacioni i Prishtinës ka dashur të largohet nga takimi, por pas presionit, kanë qëndruar”, citohet të ketë thënë Gjuriq, transmeton Koha.net.
Gjuriq ka thënë më tej se nuk do t’i dëshironte askujt të përjetonte atë që po e përjeton delegacioni i Beogradit, “sidomos kryeministri Aleksandar Vuçiq”.
Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pjesë e dialogut në Bruksel, ka demantuar shefin e qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa për arritjen e ndonjë marrëveshjeje, duke thënë se kjo është taktikë e Prishtinës që t’i ikin fajësisë për “mos-sukses eventual të bisedimeve”.
“Nuk janë fare në rrugë për të arritur kompromis”, tha Gjuriq, ndërsa ka shtuar se do t’i përmbahen deri në fund marrëveshjes me BE-në që të mos flitet për Asociacionin derisa të mos arrihet marrëveshje.
“Nëse merremi vesh për Asociacionin, do të ketë më shumë për serbët se që ka tani”, shtoi ai.
“Do të jetë një garë politike maratonike, e cila ka gjasë të zgjas deri herët në mëngjes”, përfundoi Gjuriq.