Moti

Ngasja e çmendur e makinave nga disa të rinj që vijnë nga Zvicra në Kosovë për pushime po bëhet gjithnjë më shumë temë në mediet sociale.

Ajo po e krijon madje njëfarë irritimi dhe ftohje në mes të vendësve dhe mërgimtarëve.
Një artikull që ka botuar sot portali i gazetës zvicerane 20minuten flet për këtë fenomen, duke iu referuar një shqiptari të Zvicrës, që i ka përjetuar në lëkurën e tij pasojat e vozitjes pa kokë të një bashkëvendësi të tij (nga Zvicra).

Në Duhël, ka ndodhur të hënën (dje) një ndeshje zinxhirore e disa automjeteve, ku të përfshirë kanë qenë kryesisht vozitës nga Zvicra. Siç rrëfen një dëshmitar (J.R.) që nuk dëshiron t`i përmendet emri, në ndeshjen ku qenë përfshirë 7 automjete ishte një mrekulli se si askush nuk e ka paguar me jetë madje nuk ka pasur as të lënduar, përcjell albinfo.ch shkrimin e portalit zviceran.

“Nuk mund ta kuptoj se si dikush mund të vozisë kështu, thotë 25 vjeçari nga kantoni Aargau. Ai së bashku me një kushëri të rij ishte në rrugë nga Kosova për në Shqipëri. Binte shumë shi dhe për këtë arsye të gjithë vozisnim ngadalë duke qenë se këtu nuk ka kanalizim.

Pastaj, pa pritur shoh se si dikush, me shpejtësi vdekjeprurëse po ia mësynte drejt meje. Ai kishte qenë duke e bërë një manovër tejkalimi dhe tash nuk mund të kthehej më në kolonë. “Ne u strukëm të gjithë pranë njëri tjetrit; në brendi ne tashmë ishim përgatitur se po vdisnim”, thotë R. për 20minuten.ch .

“Mu desh të reagoja menjëherë duke ngarë pak nga e djathta, në mënyrë që ai të mund të voziste në mes. Ndryshe, ai me 100 kilometra në orë sa po ngiste, do të përplasej në mënyrë frontale në ne. Ngjashëm ka reaguar edhe shoferi mbrapa R.-së mirëpo nuk ka mundur të frenojë me kohë, kështu, ai ka goditur veturën e R.-së nga mbrapa, transmeton albinfo.ch.

“Kur u ktheva, e pashë katastrofën prapa meje. Disa automjete, shumica me tabela zvicerane të regjistrimit ndodheshin në një gjendje të mjerë. Pasi që ne të dy i ishim shmangur, shoferi problematik, edhe ai me targa të Zvicrës me BMW-në e tij e kishte goditur frontalisht makinën e dytë prapa meje, thotë R.

Në aksidentin në Duhël, siç kishte shkruar edhe gazetaexpress ishin involvuar shtatë vetura. Kishte disa të lënduar lehtë. Dhe është një mrekulli se si askush nuk ka pësuar më të keqen”, thotë R.

Por ajo që e ka prekur atë edhe më shumë se të gjitha, ishte qëndrimi i shkaktarit të aksidentit. Ai e bënte fajtor viktimën që e kishte goditur me makinën e tij.
R. thotë: “njerëzit atje vozitin në mënyrë korrekte. Janë në të vërtetë gjithmonë ata që vijnë nga Zvicra të cilët bien në sy për të keq”.

Një shpjegim të mundshëm për këtë ai e sheh në faktin se gjobat për ta si të ardhur nga Zvicra janë të ulëta.
R. ka shkruar të hënën në facebook: “Sot mund ta festoj ditëlindjen time të dytë. Ditëlindjen e dytë pasi që një idiot nga Zvicra për pak sa s` më shfarosi mua dhe familjen, këtu në Kosovë”. Pastaj ai merr qëndrim të qartë mbi “raserët” e Zvicrës.

“Shqiptarë nga Zvicra, të cilët me makinat e tyre ndjehen të fortë në stilin e tyre prej gjoja gangsterëve: Turpi qoftë me ju”, transmeton albinfo.ch.

 
Top