Moti


Shkruar nga: z.Xhevdet Kallaba

Nga Ditari im:

Në kuadër të manifestimit „Ditët e Diasporës“, më 28 korrik, Drejtoria e Kulturës, në mbështetje edhe të Ministrisë së Diasporës, në sheshin „Metush Krasniqi“ në Kamenicë, organizoi një mbrëmje mikpritëse për bashkatdhetarët tanë, të cilët, pushimet e veta po i kalojnë në vendlindje.

Një pjesë e rrugës kryesore „Skënderbeu“ si dhe sheshi „Metush Krasniqi“, gjatë muajve të verës, që nga ora 19:00 deri në orën 24:00 është e mbyllur për qarkullimin e veturave dhe është shndërruar në shëtitore. Mijëra kamenicas, sidomos gjatë manifestimit „Ditët e Diasporës“, frekuentojnë këtë pjesë të qytetit të Kamenicës, sa për t’u çmallur me vendlindjen, po aq edhe për t’u takuar me miq e të afërm. 

Derisa në fshatin Roganë, në shenjë kujtimi për dëshomrët Selver dhe Emin Kryeziu, dhe në shenjë nderimi për mërgimtarët, për tri javë rresht, po mbahet turneu në futboll të vogël e i cili për çdo mbrëmje transmetohet drejtpërdrejt në Programin Kosovanet (nga ora 19:00 – 21:30), mbrëmë në Kamenicë u organizua një mbrëmje argëtuese e përcjellë me ushqime tradicionale. Rreth 1000 bashkatdhetarë, por edhe ata që jetojnë këtu, u shërbyen gratis me specialitetin e flisë dhe të bakllavasë. 

„Rreth dhjetë punëtorë të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport janë vënë në shërbim të bashkatdhetarëve që, gjatë kësaj mbrëmjeje, krahas një pjate modeste me ushqime tradicionale, të ndjejnë edhe një mikpritje të përzemërt private dhe institucionale“, thotë drejtoresha për KRS e Komunës së Kamenicës, zonja Venera Dërmaku - Rexha. „Kjo është më e pakta që ne po bëjmë për bashkatdhetarët, ndërkohë që po na gëzon fakti se atyre po u pëlqen ky manifestim, të cilin synojmë ta bëjmë tradicional“, vazhdon zonja Dërmaku - Rexha. 

Ndonëse në manifestim mungoi i pari i Komunës, z. Begzad Sinani, bashkëpunëtorët e tij dhanë gjithçka nga vetja që manifestimi të jetë sa më madhështor.
„Ne jemi në gjendje që edhe të paguajmë për këto ushqime, por fakti se ato po i marrim falas po na respekton edhe më shumë“ thotë z. Qemajl Veliu i cili në këtë manifestim kishte ardhur me familjen e tij nga Konçuli, por që me punë të përkohshme është në Zvicër.
Në hapje të kësaj mbrëmjeje organizatori kishte përgatitur edhe një torte me mbishkrimin „Mirë se erdhët bashkatdhetarë“, e të cilën solemnisht e preu dhe e shpërndau konsulli i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Isa Kosumi. 

Konsulli Kosumi, me këtë rast, falënderoi mikpritësit dhe shfaqi mirënjohje për organizatorët për të përçuar mesazhin se ushqimet tradicionale, por edhe eventualisht lojërat e ndryshme tradicionale do të ishin vegëza lidhëse mes diasporës dhe vendlindjes. Përmes një kënge të kënduar nga Arlind Lecaj dhe grupi i tij muzikor z. Kosumi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit e këtij manifestimi dhe publikisht falënderoi organizatorin për këtë mikpritje të bashkatdhetarëve.
Me këngë e valle popullore të pranishmit i argëtoi këngatari vendas Arlind Lecaj dhe grupi i tij muzikor. Shumë të pranishëm, ndonëse nuk njiheshin mesveti, u futën në valle për t’u kënaqur kështu deri në orët e vona të mbrëmjes.

Në manifestim kishin ardhur edhe disa pjesëtarë të minoritetit rom, të cilët përkohësisht jetojnë dhe punojnë në Gjermani.
Ndonëse i lindur në Zvicër, Leonit Imeri 5-vjeçar, kishte marrë një çifteli të vogël dhe përpiqej që në stilin e tij t’i argëtonte shoqëruesit e tij në tavolinë. Gjyshi i Leonitit, z. Ismet Morina që prej vitesh jeton në Litau të Lucernës, në manifestim kishte ardhur me familjen e tij të gjerë. Ai është shumë i kënaqur dhe falënderues për këtë organizim për mërgimtarët dhe dëshiron që kjo traditë të vazhdojë edhe më tutje.

Gjatë korzos, nëpër rrugën „Skënderbeu“, shpesh dëgjoheshin bashkëbisedime të rinjsh në gjermanisht, frengjisht, italisht, suedisht, anglisht etj, por, me sa duket, kënaqësinë të gjithë e përjetonin shqip dhe vetëm shqip.









 
Top