Policia e Kosovës ka njoftuar lidhur me arrestimin e tre të dyshuarve të cilët në vazhdimësi kanë kryer krime kompjuterike si: vjedhje të të dhënave të ndryshme personale, bankare, shitjen online të programeve kompjuterike softuerike për infektimin e kompjuterëve.
“Në bashkëveprim me Prokurorinë e Shtetit, është ndërmarrë operacioni për arrestimin e të dyshuarve të rastit, kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, me qëllim të mbledhjes të provave. Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Gjilanit në dy lokacione dhe në rajonin e Mitrovicës në një lokacion”, thuhet në njoftimin e policisë, përcjell Indeksonline.
Bëhet e ditur se personat e arrestuar janë: L. I., lindur me 1990, L. M., lindur me 1992 dhe L. Sh., lindur me 1989.
Gjithashtu, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
• 6 (gjashtë) laptop;
• 2 (dy) shtëpiza kompjuterike;
• 7 (shtatë) telefona mobil;
• 1 (një) hard disk i jashtëm;
• 5 (pesë) USB;
• 20 (njëzet) CD;
• 5500 (pesë mijë e pesëqind) euro;
• 1 (një) veturë
“Personat e dyshuar me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës të mëtejme gjyqësore”, përfundon njoftimi.