Historiani dhe nënkryetari i Partisë Socialiste Serbe (SPS), Predrag J. Markoviq, ka thënë se Serbia duhet të dalë me mënyra më kreative për të mbrojtur interesat e veta në Kosovë.
Ai ka thënë se Kosova si dhe regjioni së shpejti do të 'shkretohen', dhe të vetmit njerëz që do të dëshirojnë të investojnë aty do të jenë serbët, dhe sipas tij, nëse serbët do të jenë të pasur do ta blejnë Kosovën, transmeton Indeksonline.
"Historia e kësaj gare ka nisur qe disa vite dhe nuk është vetëm një lojë, por një seri turnesh në të cilën shtetet humbin apo fitojnë pikë. Duhet të fitojmë pikë, dhe të dalim me mënyra kreative për ta mbrojtur shenjtërinë dhe interesat e njerëzve tanë në Kosovë", ka thënë Markoviq.
I pyetur nëse Serbia duhet të durojë derisa situata të ndryshojë në favor të saj, Markoviq ka thënë se "Kosova është një vrimë e zezë e paligjshmërisë", ku kriminelët, bandat dhe narkokartelet e kanë fjalën kryesore, transmeton Indeksonline.
Sipas tij Kosova do të shkatërrohet vet për shkak të ekonomisë së dobët, ndryshimeve demografike, ikjeve masive si pasojë e jetës së rëndë, duke e kryer vet punën e nisur nga serbët. "Nuk do të kemi nevojë që t'i shtyjmë më shqiptarët drejt Nishit", ka thënë ai. /Indeksonline/