Komandant Cobra - Naser Vllasi në bisedë me autorin e shkrimit (Botasot)
Komandantin Naser Vllasi - Cobra, i lindur më 22 shkurt 1965 në fshatin Ruboc komuna e Dardanës ish “Kamenica”, për të parën herë e kam takuar në muajin prill të vitit të shkuar në Maanheim të Gjermanisë, në një akademi kushtuar Heroit të Kosovës Salih Çekaj. Fjalimi i tij nuk ishte i zakonshëm, ai aty foli gjëra që nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë. Më pas Naser Vllasin e kam parë edhe një herë tjetër në Aeroportin e Prishtinës. Isha duke u kthyer në Zvicër ku papritmas dëgjova një zë. U përshëndetëm duke lënë premtimin për një takim kur të ktheja një herë tjetër në Kosovë. Në ndërkohë miq dhe të njohur të tij më kanë folur me admirim për të, por sidomos për kohën e Luftës sa ishte ai në Koshare.
Në shtatorin e këtij viti kam bërë disa herë përpjekje për ta takuar. Madje pata shkuar edhe në Gjilan, por pa sukses. Takimi ynë u realizua më 17 shtator 2015, në qytetin e Pejës, përkatësisht në tavernën e Hotel „Dukagjini“, aty ku më priste dhe biseduam pak, sepse kisha një takim tjetër në Prishtinë. Në ata pak minuta muhabetin e sollëm kryesisht për karrierën e tij ushtarake me theks të veçantë për disa detaje rreth Luftës në Koshare?!
Tashmë dihet se për këtë komandant, nëse jo askund, rrallë e kemi hasur në shkrimet e shumta rreth Betejës së Koshares, veçmas për disa vrasje enigmatike në atë Betejë. Naser Vllasi, është oficer i karrierës dhe pjesëmarrës i luftës Kroate me gradën Kapiten i KL. I-rë. Ai dha një kontribut të madh edhe për armatosjen e një numri të boshnjakëve dhe kroatëve që kishin guximin dhe gatishmëri për ta filluar luftën kundër serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë.
Nga rrëfimi i tij, nënkuptohet se ai për të parën herë e kishte takuar Rrustem Berishën gjatë luftimeve në Kroaci, dhe atë në Kazermën ushtarake në Dellnice, ajo kohë i njohu dhe bashkë me të kishin ndarë një sasi të madhe të armatimit për në Kosovë, e kjo kishte ndodhur qysh në vitin 1991. Siç pohon Naser Vllasit, oficeri Rrustem Berisha ishte caktuar udhëheqës ushtarak nga institucionet e atëhershme të Republikës së Kosovës, kjo ishte një arsye e fort pse ata u lidhën dhe bashkë u gjenden edhe në aradhen e parë shqiptare për Kosovë, ku Naser Vllasi u sistemua si ushtarak bashkë me të, të cilin do ta takoj më vonë edhe në Luftën e Koshares.
Që në ditët e para të UÇK-së, Naser Vllasi, ishte kyçur në luftë duke realizuar ëndrrën dhe fjalën e dhënë për të qenë pjesë e Luftës së Kosovës. Bashkë me komandantët: Salih Çekaj, Agim Ramadani dhe Rrustem Berisha, bëri luftën, por jo me të gjithë po ndërton edhe paqen?!... Në Luftën e Kosovës 1998/1999, Naser Vllasi ishte angazhuar në detyra të ndryshme dhe mjaftë specifike, kryesisht në vëzhgimin e forcave të armikut serb. Këtë detyrë me rëndësi të veçantë ai e bëri diku rreth 2 muaj para se të thyhej kufiri në Koshare, me qëllim të përpilimit të planit operativ luftarak.
Po ashtu Naser Vllasi në Luftën e Koshares kishte funksion udhëheqës si Komandant i Njësisë Profesionale për Operacione Luftarake, duke përfshirë vëzhgimet dhe detyrat e posaçme. Pa dyshim ai në frontin e luftës, ishte njëri ndër ushtarakët më të afërt me Salih Çekajn dhe me Agim Ramadanin. Komandant Cobra - Naser Vllasi kishte raporte shumë të afërta edhe me komandantin e gjallë Rrustem Berisha, për të cilin ky flet me respekt! Edhe pse nuk është thënë, dihet se Naser Vllasin, vet komandanti Agim Ramadani e kishte caktuar Komandant për njësitin e Cobrave.
Në atë luftë Naser Vllasi ishte edhe zv. Komandant Luftarak i Agim Ramadanit, ku fatkeqësisht deri më sot nuk është folur nga askush, madje as nga vet ai. Heshtja e këtij Komandanti sa vret po aq ia ngrit madhështinë atij dhe luftës që kanë bërë, ndonëse për meritat e tij është folur kalimthi, pavarësisht asaj nëse ato merita janë pranuar e diskutuar vetëm nëpër ndeja mes shokëve të idealit?!
Komandant Cobra - Naser Vllasi, ishte i angazhuar edhe në detyra të tjera në hierarkinë e Ministrisë së Mbrojtjes, gjegjësisht nga Shtabi Qendror, qysh në kohën kur kolonel Ahmet Krasniqi ishte ministër i mbrojtjes, si dhe më pas edhe në kohën kur në atë post është emëruar Halil Bicaj. Por, edhe këto angazhime të tij sikur me qëllim janë fashitur e pashitur. Dhe për më keq nuk dihet përse?! Ndërsa heshtja është fenomen që secilit ia rritë famën?!
Oficer të karrierës, me gradën luftarake Komandant Cobra, përkatësisht me emrin e mbiemrin Naser Vllasi janë të rrallë, që me aq ndërgjegje kanë dalë nga ajo luftë, dhe gjithë kjo qenka bërë në shërbim të vendit dhe atdheut, pa u pa, pa u duk e pa u stërmadhuar kontributi i tij. Andaj roli i tij i veçantë, veçmas heshtja e tij specifike qet në pah se Komandant Cobra - Naser Vllasi ishte epror i caktuar nga Ministri i Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi, pikërisht në grupin „Oficer G-2“, sepse ai ishte komandant dhe epror i dalluar, njohës i shkëlqyer i artit luftarak dhe i atyre zhvillimeve.
Nga këto survijime, shihet se nuk është thënë e tëra për luftën, sepse kur flitet apo shkruhet nga të tjerët për ngjarje, bëma e beteja në Luftën e Kosharës, duhet pasur shumë kujdes, pasi ai, pra Komandant Cobra - Naser Vllasi, di më shumë se sa disa të vetëquajtur „Komandant“, të cilët nuk dolën nga skëterra, por janë dalë nga lufta me një bagazh dyshimesh të cilët gjatë asaj kohe ose kanë qëndruar në bunkerët e Enver Hoxhës ose kanë bërë luftë në POZADINË?!
Shtypi dhe mediat kryesisht i madhëruan duke i bërë me famë oficeret nga „pozadina“, përkatësisht në shqip nga prapavija, të cilët edhe në armatën e APJ-së thuhet se ishin edhe në shërbim të KOS (Kontra Obovestajna Sluzba – Shërbimi i zbulimit dhe kundërzbulimit ushtarak). Për çudi të të gjithave, kjo shoqëri jo që i avancoi ata „komandant“ në poste politike, por i bëri deputet dhe madje i quajti edhe „Heronj të gjallë“, bile mendja fshatarake shkon deri atje se mendojnë se edhe pushteti i LDK-së duhet të lëshohet pikërisht në duart e atyre që bënë plane në „pozadinë“.
Ndërsa kur u bë loja e vove (vezëve) kundër Kryeministrit në Parlamentin e Kosovës, është për tu habitur si njëri nga ta e zuri pozicionin në këndin ku nuk ishte cak i hedhjes së vezëve, dikush tjetër sulmuan gra me gota të qelqta, e të shkretët gjatë luftës patën qëndruar në vezë të dikujt ose në prapavijë, ndërsa luftimet i përjetonin përmes radiolidhjeve duke i vrojtuar ato zhvillime nga distanca, ndërsa pranë tyre e në mbrojtje të tyre (?!), bënin gallata një numër shumë i madh i ushtarëve. Në anën tjetër në vijën e parë të frontit ishte një numër i kufizuar luftëtarësh besnik si Naser Vllasi, veçmas atyre ditëve kur Agimi e Salihu, në njërën anë luftonin ballë për ballë me armikun shekullor e në anën tjetër ishin rrethuar me bandat e krimit për t’ua pamundësuar shijimin e fitores, dhe për të mos e pritur ata as ditën që e afronte fitoren e Kosovës!...
As këto vite, as këto heshtje Komandant Cobrën - Naser Vllasin nuk e thyen. Ai hesht dhe heshtja e madhëron, madje ai nuk trembet e as që dëgjon për kërcëllima e kërcënime, as për shërbime të pista, siç ka me bollëk në mesin tonë, në shpirtin e shoqërisë sonë, fatkeqësisht edhe në mesin e atyre të ashtuquajturve komandant, të cilët si duket edhe tani veç u raportojnë shërbimeve që ia sollën gjithë këto të zezat vendit dhe kombit tonë.
E kjo kohë e yrysheve i qiti në pah këto fytyra prej servilëve, të cilët u kapërthuren në politikë për t‘i mbrojtur prijësit e tyre shpirtëror të cilët përfaqësojnë vasalitetin dhe kompleksitetin e një servilizmi filoserb ndaj konceptit të LKJ të futur thellë e më thellë, tashti edhe në LDK. Andaj është mirë që Rugovistët dhe LDK-istët, nëse e duan Kosovën, të kenë shumë kujdes, sidomos nga komandantët e „pozadinës“ të shndërruar në demokrat, në Rugovista duke na u shitur edhe si avangardë e LDK?!...
Thuhet se heshtja është ar, por heshtja nuk mund të jetë edhe avangardë e proceseve?!...
St. Gallen, 02.10.2015.