Moti

Ka nisur sot ndërtimi i rrugës me katër korsi Gjilan-Bujanoc, projekt ky i cili implementohet me financim qind për qind të Komunës së Gjilanit.

Hapjen zyrtare të këtij projekti të hyrje-daljes Gjilan-Bujanoc e ka bërë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, i cili ka thënë se Gjilani duhet të kapërcej nga kjo infrastrukturë që e ka aktualisht, në një infrastrukturë moderne.

“Kjo ditë shënon hapjen e rrugës më të madhe Gjilan-Bujanoc me investim qind për qind nga Komuna. Prej sot ne fillojmë lirimin e trotuareve, si dhe largimin e të gjitha reklamave e mureve, shtyllave të ndriçimit, rrjetit mbrojtës të FSK-së dhe të “Don Boskos”.

Unë i falënderoj të gjithë për bashkëpunim sepse Gjilani duhet të kapërcej nga kjo infrastrukturë që e ka aktualisht në një infrastrukturë moderne dhe të qarkullueshme me mundësi të hapjes së korridoreve”, ka thënë Haziri të martën.

I pari i gjilanasve ka kërkuar nga operatorët privatë që të mos e pengojnë punëkryesin në realizimin e planit dinamik, ndërkaq ka paralajmëruar se në vitin e ardhshëm do të nis edhe ndërtimi i hyrje-daljes Gjilan-Prishtinë si dhe Gjilan-Ferizaj.

Punëkryes është kompania “Zuka” nga Gjilani, pronari i së cilës Muhadin Zuka është zotuar se punët do të kryhen sipas planit dinamik për 90 ditë pune.

Ndërtimi i kësaj rruge, e cila nis nga kazerma e FSK-së në Gjilan, ka gjatësi prej 1260 metrash, me gjerësi 27 metra dhe do të ketë brez të gjelbërimit, ndriçim dhe të gjitha kërkesat tjera urbane.

Vlera e projektit kap shifrën e afro 900 mijë eurosh. 

 
Top