Fushata e ashpër e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO pati sukses.
Përkundër mbështetjes së Kosovës nga fuqitë e mëdha, Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s votoi të hënën kundër pranimit të Kosovës në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara, për arsim, kulturë dhe shkencë.
92 shtete kanë votuar pro që Kosovë të jetë anëtare me të drejta të plota në UNESCO, ndërsa 50 kundër.
Kosovës iu kanë dashur edhe 3 vota për, që të jetë pjesë e UNESCO-së, por fushata negative e Serbisë dhe Rusisë i ka bindur një sërë shtetesh që në momentet e fundit të mos e votojnë Kosovën në UNESCO.
Zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi një ditë më parë tha se Serbia po bën fushatë agresive dhe raciste për ta penguar pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Qëndrimet e Serbisë në raport me anëtarësimin e Kosovës janë edhe kundër Rezolutës 1244; edhe kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve; edhe kundër frymës evropiane të asaj marrëveshje; edhe kundër fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve tona. Është një deklaratë tepër e ulët, një deklaratë agresive, një qëndrim racist i Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Kjo ka ngjallur më shumë kundër reagime ndaj Serbisë sesa ndonjë qëndrim kundër Kosovës”, ka thënë mes tjerash Thaçi.
Edhe Beogradi zyrtar pati paralajmëruar se do të bëjë gjithçka që është e mundur që kjo çështje të dështoi.
Ambasadori serb në UNESCO, Darko Tanaskoviq, ka deklaruar se janë objektiv dhe shumë të dyshimtë sa i përket komentit pozitiv të Konferencës së Përgjithshme mbi kërkesën për pranimin e Kosovës.
“Duke pasur parasysh faktin se sistemi i votimit në UNESCO, shtetet jo-anëtare të OKB-së duhet të sigurojnë dy të tretat e votave të atyre që janë për pranim, kurse ata abstenojnë votat e tyre nuk merren parasysh, dhe sipas gjitha gjasave dallimi në vota ‘për’ dhe ‘kundër’ do të jetë shumë i ngushtë”, ka deklaruar ambasadori serb Tanaskoviq.
Ishte 16 korriku i këtij viti, data kur Kosova kishte aplikuar për tu bërë pjesë e UNESCO-s.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme (MPJ), Hashim Thaçi, pati deklaruar për media asokohe se “ky veprim vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s që janë zhvilluar vetëm këtë vit”, duke shtuar se “presim që në nëntor të hyjmë në këtë organizatë shumë të rëndësishme”.
Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara e themeluar më 16 nëntor 1945.
ëllimi i deklaruar i kësaj organizate është të kontribuojë për paqen dhe sigurinë, duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtare përmes arsimit, shkencës, dhe kulturës. /Telegrafi/