Moti

Të akuzuar për sulm ndaj personit zyrtarë Guxim e Ngadhnjim Grabovci , bijtë e shefit të Grupit parlamentar të PDK-së, përfundimisht do obligohen të paguajnë vetëm gjobën prej 3 mijë eurosh secili të përcaktuar nga gjykata.

Së bashku me ankesën e prokurorisë, Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë edhe ankesën e mbrojtësve e cila, sipas zëdhënësit të Apelit Arbër Jashari, ka qenë e pabazuar.

“Gjykata e Apelit, ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe atë të avokatit mbrojtës të te akuzuarit Ngadhnjim Grabovci, z. Hasan Jashari, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është vërtetuar”, tha Jashari për KALLXO.com.

Dy vëllezërit Ngadhënjim dhe Guxim Grabovci u dënuan fillimisht me nga 6 muaj burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u gjetën fajtorë për rrahjen e një polici në shkurt të vitit 2013.

 Me vendimin e po të njëjtës gjykatë dënimi me burg u shndërrua në dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh për secilin nga vëllezërit.

Por si avokatët ashtu dhe prokuroria u ankuan pasi u ndanë të pakënaqur me vendimin.

Pas vendimit të apelit lënda do dërgohet për ekzekutim në Gjykatën Themelore të Prishtinës. 

 
Top