Sonte në orët e mbrëmjes, njësia operacionale e Policisë së Kosovës, në lagjen Arbëria në Prishtinë, ka ndaluar një automjet të dyshuar të tipit “Mercedes”, ku është gjetur një kallashnikov AK 47.
Për KosovaPress, zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se Policia ka arrestuar një person të dyshuar të nacionalitetit serb.
“Rreth orës 20:00 Policia e Kosovës, respektivisht njësia operacionale operative, tek rrethi në “Arbëri”, në Prishtinë, ka ndaluar një automjet të tipit “Mercedes”, pra kombi, , dhe një person të dyshuar i nacionalitetit serb. Gjatë kontrollit në veturë është gjetur një armë zjarri e tipit AK 47, apo kallashnikov”, tha Hoxha.
Hoxha tha se arma u gjet në bagazhin e automjetit, ndërkohë që Policia ka filluar hetimet, përfshirë edhe intervistimin e të dyshuarve lidhur me rastin.
“Kjo armë është gjetur në bagazhin e automjetit. Polica është në proces të ndërmarrjes të të gjitha veprimeve hetimore, përfshirë intervistimin e të dyshuarve për të vazhduar me procedurat tjera ligjore”, konfirmoi Hoxha.